Aktuale

Mbi 7 orë protestë mes gurëve e flakës, arenë “lufte” te Bashkia e Tiranës pasi protestuesit futen brenda godinës. Dhjetëra të arrestuar, protestues, policë dhe gazetarë të plagosur

Mbi 7 orë protestë, përplasje me policinë, gurë, flakadanë, zjarre, gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Protesta e studentëve e zhvilluar këtë të martë para Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me incidente të shumta, ndërsa policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe disa autobotë me ujë. Deri më tani raportohet për 23 persona të arrestuar, disa efektivë policie të lënduar, si dhe dy gazetare të lënduara.

Tensionet nisën që në minutat e para të tubimit, kur protestuesit hodhën vezë në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe shkruan me sprej në muret e godinës. Situata u përshkallëzua më pas, kur një pjesë e protestuesve shkulën kangjellat metalike dhe morën tulla nga trotuari, të cilat i hodhën në drejtim të godinës, duke thyer xhamat e dritareve. Protestuesit kaluan më pas brenda rrethimit të Ministrisë së Arsimit, ndërsa nga turma u dëgjuan thirrjet “Digje, digje”. Ata tentuan të shqyenin derën e hekurt dhe të futeshin brenda godinës, ndërsa u hodhën edhe flakadanë.

Policia ndërhyri pas 60 minutash duke krijuar një kordon përpara godinës. Në disa momente tensioni, efektivët përdorën shkopinj gome dhe nisën shoqërimet e protestuesve.

Në ndërhyrje u përfshinë edhe disa autobotë me ujë, të cilët u përdorën për shpërndarjen e turmës. Gjatë tensioneve pati edhe persona të lënduar.

Pasi u shpërndanë nga ndërhyrja e policisë, protestuesit u rigrumbulluan dhe vijuan protestën. Në drejtim të forcave të rendit u hodhën shashka dhe sende të forta, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për t’i shpërndarë.

Një grup protestuesish të maskuar shkulën gjithashtu kangjellat nga trotuaret dhe i vendosën në mes të rrugës, duke tentuar të pengonin kalimin e autobotëve me ujë, pas të cilëve ndodheshin forcat e policisë.
Protestuesit u shpërndanë disa herë pas përdorimit të gazit lotsjellës, por u mblodhën përsëri. Në vijim, një pjesë e tyre u zhvendosën drejt Sheshit “Skënderbej” dhe hyrjes së Rrugës së Durrësit, ku ndezën disa vatra zjarri dhe shkatëruan një biznes privat.

Gjatë incidenteve, një grup protestuesish sulmoi fizikisht edhe një efektiv policie. Policia shoqëroi një prej protestuesve, i cili në momentin e ndërhyrjes ndodhej në një biçikletë.
Gjatë protestës janë lënduar gjithashtu dy gazetare, ndërsa disa efektivë policie kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve.

Më pas ata janë zhvendosur nga Ministria e Arsimit drejt bashkisë së Tiranës, ku si fillim kanë hedhur gurë drejt derës së godinës, ku më pas kanë arritur që ta thyejnë derën. Disa prej protestuesve janë futur brenda në godinë, ndërsa menjëherë më pas ka mbërritur aty edhe policia, dhe ka nisur me arrestimet./topchannel

Të Ngjashme