Në seancën e sotme gjyqësore në Hagë ndaj Pjetër Shalës, eksperti mjeko-ligjor Marek Gasior në pjesën e parë të seancës nga mbrojtja e Shalës u pyet më shumë për raportin e autopsisë që i kishte bërë vetë Gasior individit ‘A’, por nuk munguan as pyetjet për këqyrjen fizike për individin ‘B’. Derisa dëshmia për individin ‘A’ u dha në seancë të hapur për publikun, ajo për individin ‘B’ ishte kryesisht me përmbajtje të redaktuar por edhe private.
Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Muhamed Hedi Auini kërkoi të dinte se individi ‘A’ a kishte gips në këmbën e tij apo jo, çka konfirmoi dëshmitari.
Gasior: Nga raporti del se pacienti në këmbën e djathtë kishte gips
“Autopsia e këtij individi u krye përpara 14 vitesh, u përpilua edhe proces verbali në bazë të punës time të kësaj autopsie që e kam përpara meje, por vetë autopsia dhe vetë autopsia kanë kaluar 14 vite më vjen keq nuk më kujtohet. Këtu nga raporti që kam përpara del se pacienti në këmbën e djathtë kishte vërtet gips… Kur shohim fotografinë 11, ajo që shohim është pjesa e pasme e trupit në tryezën e autopsisë, është shtirë kufoma përmbysë, sa i takon fotografisë 12 shohim gipsin në fjalë, këtë na tregon ky raport”, theksoi ai.
Avokati i Shalës, Auini pyeti për ‘procesin e sapunizimit’ të trupit të individit ‘A’ dhe se a kishte inde apo vetëm skelet kur i ishte bërë autopsia trupit të tij.
Më pas eksperti mjeko-ligjor, Marek Gasior u shpreh se indet e buta të personit ‘A’ ishin transformuar pas shpërbërjes së trupit pas vdekjes.
Auini: Aty përmendet se në këtë rast përshtatej, trupit të individ ‘A’ të gjitha indet e buta ishin ‘sapunizuar’
Gasior: Raporti thotë se indet e buta të personit ‘A’ ishin transformuar pas shpërbërjes së trupit pas vdekjes, prandaj kishte ndodhur transformimi i dhjamit dhe quhet si ‘procesi i sapunizimit’
Auini: Iu kujtohet nëse nga trupi kishte mbetur vetëm skeleti
Gasior: Pjesërisht kishte mbetur vetëm skeleti dhe pjesërisht indet e buta të individit ‘A’ ishin ‘sapunëzuar’
Auini: A mund të themi se asnjë ind i butë nuk kishte mbetur në trup
Gasior: Në trupin e pacientit ‘A’ kishin mbetur inde të buta të cilat ishin transformuar pas vdekjes në procesin që ne e quajmë ‘sapunizim’
Pas kësaj avokati, Auini dëshmitarin e ZPS-së e ballafaqoi me një pjesë të raportit të tij për individin ‘A’ ku kishte deklaruar se nuk kishin mbetur inde të buta, më pas sqarime dha vet eksperti për çka tha se gjatë këqyrjes pas vdekjes e pas zhvarrosjes së trupit, indet e buta ishin hequr dhe ishin vendosur në tryezën e autopsisë për të shikuar nëse kishte lëndime në skelet.
Referuar raportit të autopsisë të bërë nga eksperti, Gasior, avokati i Pjetër Shalës kërkoi të dinte edhe për plagët e përshkruara në raport, më saktësisht Auini kërkoi të di se a ishin bërë matje të vrimave të gjuajtjeve me armës zjarri që kishte pasur në trup individi ‘A’.
Më pas vetë Gasior tha se ishin bërë matje milimetrike.
Auini: A mund të na konfirmoni se në raport ku thuhet dy deri tre plagë plumbi dhe javën e kaluar thatë se mendimi juaj ishte se kishte 3 gjuajtje me armë zjarri, a konfirmoni se nuk u bë asnjë matje e vrimave prandaj nuk është përmendur kjo në raport.
Gasior: Gjatë këqyrjes të mbetjeve të skeletit u ishin tre plagë plumbi në gjurin e djathtë nga të cilat dy kanë hyrë mes për mes gjurit, pra në kupën e gjurit në kocën e gjurit dhe e shtëna e tretë plaga e tretë pra ka qenë tangjentiale pra sipërfaqësore.
Auini: U bënë ndonjë matje e diametrit të vrimave që u shikuan në kufomë, shohim se në raport përmenden ndonjë matje me centimetra e milimetra por për këtë nuk shohim asnjë lloj matje, a e konfirmoni këtë?
Gasior: Në këtë raport sa u takon lëndimeve të dukshme në kockë të shkaktuara nga arma e zjarrit është bërë një përmbajtje e rrezes me numër, është bërë një matje në milimetra.
Avokati i Shalës parashtroi pyetje edhe për vlerësimet e ekspertit për kohën që kishte vlerësuar se kishte ndodhur vdekja e pacientit nga gjuajtja me armë zjarri, e më pas dëshmitari i ZPS-së tha se koha nga lëndimi e deri tek vdekja e pacientit ka qenë e shkurtër brenda pak ditësh.
Auini: Në vlerësimin tuaj, koha nga gjuajtja me armë zjarri deri tek vdekja e personit ka qenë e shkurtër, a mund të na thoni si e vlerësoni ju sa e shkurtër ka qenë kjo kohë nga momenti që është gjuajtur deri në momentin që vdiq.
Gasior: Këqyrja e kockave të dëmtuara nuk tregoi se kishte pasur shërim apo rikuperim, prandaj koha nga lëndimi që pësoi pacienti dhe deri në momenti që vdiq ka qenë e shkurtër, koha për shërim varet nga shumë faktor ndër të cilët mosha e pacientit, faktor personal të cilët luajnë rol të rëndësishëm, mund të përsërisë se ka qenë kohë e shkurtër… Unë do të thosha se maksimumi ka qenë pak ditë.
Auini: Edhe ky është rast edhe kur plagët lihen të pamjekuara.
Gasior: Tek fotografia ku duken kockat e dëmtuara nuk ka asnjë shenjë të dukshme shërimi, çka tregon se koha nga lëndimit e deri tek vdekja ka qenë e shkurtër.
Ndërsa, derisa mbrojtja e Pjetër Shalaës, kërkoi të dinte për raportin e autopsisë për individin ‘B’ disa informacione u dhanë të redaktuara nga Specialja e kishte dhe pjesë në seancë të mbyllur për publikun. Eksperti mjeko-ligjor, Marek Gasior tha se individi ‘B’ kishte plagë të cilat, siç tha ai, ishin rezultat i një traume.
Ndërsa, për plagën e këmbë Gasior u shpreh se “ishte plagë që ka mbuluar indet e buta”.
Gasior: Ishin plagë që i kishte pasur 11 vite përpara se të bëhej këqyrja e tij, gjatë procesit të këqyrjes ne mund të shikonim shenjat e mbetura nga plagët, të përshkruara në raportin tim.
Auini: A e kuptojmë drejtë se është e pamundur të përcaktohet përfundimisht se cili ka qenë shkaku i plagës së pësuar nga pacienti?
Gasior: Plagët e përshkruara kanë ardhur si rezultat i një traume.
Auini: Ju folët edhe për një plagë që kishte pasur pacienti në shpatull, a jeni dakord me mua se është e pamundur të përcaktohet se kush ka qenë burimi i kësaj plagosjeje, çfarë e ka shkaktuar këtë plagë në shpatullën e pacientit?
Gasior: Këto plagë të cilat kanë lënë si pasojë shenja të dukshme tek pacienti, kanë ardhur si rezultat i një traume.
Pas kësaj seanca vazhdoi për e mbyllur për publikun.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e Shalës, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.
Pjetër Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.