Lajme

Mes optimizmit të Ramës dhe kritikave për korrupsionin – ku qëndron realisht Shqipëria në rrugën drejt BE-së?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se më 26 maj Shqipëria do të hapë zyrtarisht fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pas përmbylljes me sukses të fazës hyrëse të procesit.

Ai theksoi se Shqipëria ndodhet më afër se kurrë integrimit në BE, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm historik për vendin. 

Sipas tij, reformat e ndërmarra në vitet e fundit kanë ndihmuar në avancimin e këtij procesi, ndërsa sfida mbetet zbatimi i qëndrueshëm i tyre në praktikë dhe përmbushja e plotë e standardeve evropiane.

 “Është një majë që tani e prekim me sy dhe rrugën e kemi të piketuar. Edhe kohën për ta zhvilluar atë rrugë e kemi të planifikuar. Jemi sot, më afër se asnjëherë BE-së”, ka thënë Rama. 

Lama: Realisht Shqipëria është larg BE-së përsa i përket plotësimit të standardeve, por mund të ketë përshpejtim të anëtarësimit për arsye gjeopolitike

Ish-ambasadorja Alma Lama në një përgjigje për “Bota sot”, tha se hapja e kapitujve të BE-së për Shqipërinë është vetëm fillimi, jo fundi i procesit. 

Sipas saj, vendi ka ende probleme serioze me sundimin e ligjit dhe korrupsionin, që duhet luftuar fort përpara anëtarësimit. 

Image
Ish-ambasadorja Alma Lama

Ajo përmendi gjithashtu ekonominë informale, pastrimin e parave, problemet mjedisore dhe nivelin e ulët të mirëqenies si sfida kryesore. 

Po ashtu, theksoi se klima politike konfliktuoze e pengon integrimin, ndaj Shqipëria mbetet ende larg standardeve të BE-së, edhe pse procesi mund të përshpejtohet për arsye gjeopolitike.

“Unë mendoj se çdo hap që Shqipëria bën përpara drejt anëtarësimit në BE është i rëndësishëm. Hapja e të gjithë kapitujve të negociatave nuk është fundi, por fillimi i rrugës. Kërkohen reforma të thella strukturore në të gjithë sektorët dhe sidomos në sundimin e ligjit, ku Shqipëria ka probleme serioze. 

Mendoj se pa luftuar korrupsionin Shqipëria nuk mund të anëtarësohet në BE dhe kjo do të thotë që shumë koka në pozita të larta shtetërore duhet të priten në kuptimin figurativ. Pastaj ekonomia informale dhe shpëlarja e parave, mjedisi dhe standardi i ulët i mirëqenies kërkojnë punë të jashtëzakonshme për të arritur në nivelin e kërkuar nga BE.

Gjithashtu klima politike konfliktuoze, mendoj se është pengesë për anëtarësim. Pra realisht Shqipëria është larg BE-së përsa i përket plotësimit të standardeve, por mund të ketë përshpejtim të anëtarësimit për arsye gjeopolitike. Kjo mbetet të shihet!”, u shpreh ajo për “Bota sot”.

Makolli: Në politikën e jashtme Rama ka qenë aktiv dhe i dukshëm, me aftësi komunikimi e me kontakte të rëndësishme ndërkombëtare

Kurse, analisti politik Vesel Makolli, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, u shpreh se konferenca e tetë ndërqeveritare në Bruksel më 26 maj 2026 tregon se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE po ecën përpara dhe se po hapen kapituj të rëndësishëm si “Bazat”, që përfshijnë drejtësinë, institucionet demokratike dhe ekonominë.

Sipas tij, ky është një hap pozitiv që e afron Shqipërinë me Bashkimin Evropian. 

Image
Vesel Makolli

“Takimi i tetë i Konferencës së anëtarësimit me Shqipërinë do të mbahet më 26 maj 2026 në Bruksel. Takimi do të shërbejë për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria dhe për të vendosur standardet përmbyllëse për Grupin 1 “Bazat”, duke përfshirë Kapitullin 23 – gjyqësorin dhe të drejtat themelore, dhe 24 – drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike. Grupi përfshin gjithashtu Kapitullin 5 – prokurimin publik, 18 – statistikat dhe 32 – kontrollin financiar.

Në Bruksel, për konferencën e tetë ndërqeveritare, do të udhëtojë edhe kryeministri Edi Rama me përfaqësues të kabinetit qeveritar.

Vetë fakti që Shqipëria po mban konferencën e tetë tregon se procesi i negociatave ka ecur përpara dhe se po hapen ose po shqyrtohen kapituj të ndryshëm të anëtarësimit. Kjo është pozitive, sepse çdo hap i tillë e afron vendin me Bashkimin Evropian.

Qeverisja e Edi Ramës gjatë këtyre tre mandateve (nga viti 2013), është kritikuar dhe kritikohet vazhdimisht nga opozita, mirëpo nëse e shikojmë dhe analizojmë në rrafshin ndërkombëtar, Rama shpesh vlerësohet që ka arritur përparime të mëdha. Në këtë periudhë kohore, Shqipëria ka bërë përparime të dukshme diplomatike, si dhe ka pasur një profil më të madh në arenën ndërkombëtare sesa më herët. Po ashtu, anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (2022–2023) u pa si sukses diplomatik për një shtet të vogël”, shprehet ai.

Makolli thotë se Shqipëria ka avancuar në negociatat me BE-në, ndërsa marrëdhëniet me SHBA-në dhe NATO-n mbeten të forta, sidomos pas luftës në Ukrainë.

Ai vlerëson aktivizmin e Ramës në rajon, por thekson se disa nisma kanë sjellë debate, veçanërisht me Kosovën. Ndër kritikat ndërkombëtare përmenden korrupsioni, përqendrimi i pushtetit dhe problemet me lirinë e medias. 

“Marrëdhëniet me BE-në – Shqipëria ka lëvizur përpara në procesin e negociatave, edhe pse ritmi nuk varet veç prej Tiranës.

Marrëdhëniet me SHBA-në dhe NATO-n kanë mbetur të afërta; Shqipëria ka qenë e qartë në politikën perëndimore, sidomos pas luftës në Ukrainë.

Gjithashtu në zhvillimet rajonale – Rama ka qenë shumë aktiv në Ballkan. Përkrahësit thonë se ka shtyrë bashkëpunimin rajonal; kritikët thonë se disa nisma kanë krijuar debat, sidomos në raport me Kosovën.

Për qeverinë Rama, kritikat më të shpeshta ndërkombëtarisht kanë qenë:

-Përqendrimi i madh i pushtetit dhe polarizimi politik i brendshëm.

-Korrupsioni dhe sundimi i ligjit – këto vazhdojnë me u përmend në raportet evropiane.

-Liria e medias dhe transparenca – ka pasur kritika prej organizatave ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Në përfundim, Makolli thotë se raportet e Shqipërisë me Kosovën kanë pasur kritika, sidomos për qëndrimet e Ramës, por ai vlerëson se Shqipëria ka qenë aktive në politikën e jashtme dhe ka avancuar drejt BE-së.

Sipas tij, pengesat kryesore janë sundimi i ligjit, korrupsioni dhe krimi i organizuar, ndërsa anëtarësimi në BE shihet si synim i rëndësishëm edhe për “bashkimin kombëtar” me Kosovën.

“Sa u përket raporteve me Kosovën, ka pas jo pak kritika, sidomos prej Kosovës, lidhur me disa qëndrime të kryeministrit Rama, të cilat janë parë në mënyra të ndryshme: disa i kanë vlerësuar si pragmatike e diplomatike, në funksion të ruajtjes së marrëdhënieve rajonale dhe ndërkombëtare; ndërsa të tjerë i kanë konsideruar të diskutueshme dhe jo gjithmonë në përputhje me pritjet e opinionit në Kosovë.

Nëse i lëmë anash kritikat që lidhen me çështjet e brendshme, në politikën e jashtme Rama ka qenë aktiv dhe i dukshëm, me aftësi komunikimi e me kontakte të rëndësishme ndërkombëtare. Gjatë këtyre viteve Shqipëria shpesh ka pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimet rajonale dhe në përfaqësimin e interesave të veta në arenën ndërkombëtare. Kjo mund të konsiderohet një arritje me peshë, jo vetëm për shtetin shqiptar, por edhe për pozitën e faktorit shqiptar në përgjithësi në rajon e më gjerë.

Shqipëria ka lëvizur dukshëm përpara në dy-tri vitet e fundit dhe ka ritëm të mirë, prandaj është e dyta nga vendet e Ballkanit Perëndimor, pas Malit të Zi, në radhë për të hyrë në BE.

Për Shqipërinë veçmas, pengesat kryesore drejt BE-së përmenden zakonisht këto:

Sundimi i ligjit dhe drejtësia – reforma në drejtësi ka ecur, sidomos me vettingun, por BE-ja kërkon rezultate të qëndrueshme: gjykata funksionale, procese të shpejta dhe besim më të madh te drejtësia.

Korrupsioni – është ndër temat kryesore që Brukseli e përsërit vazhdimisht. Kërkohen jo veç ligje, por edhe hetime e vendime konkrete në nivele të ndryshme.

Krimi i organizuar – lufta kundër trafikut dhe rrjeteve kriminale mbetet një prej kritereve të rëndësishme.

Ka edhe shumë të tjera, por duhet shpresuar që qeveria shqiptare do të angazhohet maksimalisht për t’i plotësuar të gjitha kriteret e parapara për anëtarësim dhe të bëjë hapin e duhur për t’u bërë anëtare e BE-së. Anëtarësimi në BE është synimi jetik për kombin shqiptar. Përpos arritjeve zhvillimore në çdo aspekt, anëtarësimi në BE shihet edhe si një lloj bashkimi kombëtar, kuptohet me anëtarësimin edhe të shtetit të dytë shqiptar – Kosovës” – përfundoi ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme