Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Meta e quan ndërhyrje në punët e Kosovës draftin e propozuar nga Rama për Asociacionin

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tani kryetar i Parisë së Lirisë ka reaguar ndaj propozimit që ka bërë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Meta përmes një postimi në Facebook e ka quajtur ndërhyrje të një anshme dhe jo transparente propozimin e Ramës.

Sipas Metës situata aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndihmohet nga Shqipëria me komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet e Kosovës.

“Situata e krijuar në mes të Serbisë dhe Kosovës mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti. Nuk ka nevojë për ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, të cilat acarojnë apo përkeqësojnë situatën, e cila paraqitet delikate. Qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me Kryeministrin dhe institucionet legjitime në Kosovë”, ka shkruar ai.

Meta ka thënë se zgjidhja për Asociacionin është tek marrëveshja e Ohrit dhe Brukselit, të cilën gjë sipas tik Kurti e ka pranuar dhe ka shprehur gatishmëri për ta respektuar, por e njëjta nuk është parë nga Vuçiqi.

Sipas Metës, Rama nëse do të dëshironte të ndihmonte do të mund ta bënte këtë duke kërkuar nga Beogradi ta zbatojë këtë marrëveshje.

“Z. Rama, nëse do të donte të luante një rol mund ta bënte këtë, jo duke luajtur rolin e patronazhistit mbi Kosovën, por vetëm duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e tyre, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe heqjen dorë nga strategjia e tensionimit të vazhdueshëm të situatës”, ka shkruar Meta, përcjell teve1.info

Veprimi i Ramës është kundërshtuar edhe nga kreu i PD-së, Sali Berisha, por edhe në Kosovë ka pasur reagime.

Rama ka bërë të ditur se i ka dërguar një propozim të draft-statutit për Asociacionin  për komunat me shumicë serbe, Gjermanisë dhe Kosovës.

Ai ka thënë se këtë e ka bërë duke pa që të dy palët, Kosova dhe Serbia sipas tij, nuk po pajtohen se kush duhet ta shkruajë.

Sipas Ramës ky draft-statut është bërë nga ekspertë amerikanë dhe evropianë duke u bazuar dhe në rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.