Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka deklaruar se nuk përjashtohet mundësia që persona të tjerë të shpallen “Non Grata” nga autoritetet shqiptare, nëse vlerësohet se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.
Në një intervistë për Euronews.al, Lamallari theksoi se institucionet ligjzbatuese po trajtojnë çdo javë një numër të madh kërkesash dhe informacioni që lidhet me individë të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale.
“Çdo javë kam në tryezën time me dhjetëra kërkesa nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Nëse persona të tillë rezultojnë të përfshirë në krim të organizuar, mashtrime apo shantazhe ndaj qytetarëve, ne do të veprojmë sipas ligjit pa hezitim”, u shpreh ai.
Ministri shtoi se veprimet e institucioneve nuk do të ndikohen nga presioni publik apo nga situata politike, duke theksuar se prioritet mbetet mbrojtja e qytetarëve dhe zbatimi i ligjit.
Sipas tij, vendimet e tilla janë pjesë e një procesi të vazhdueshëm të punës së institucioneve të sigurisë, të cilat veprojnë në funksion të interesit publik dhe sigurisë së vendit.
