Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) doli me njoftim se ka pranuar informacione dhe dëshmi se në grupe të prindërve në rrjete sociale kanë qarkulluar njoftime për pjesëmarrjen e obligueshme të maturantëve në protestën e paralajmëruar për sot, më 5.10.2026, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për mbrojtjen e vlerave të saj.
“MASh rikujton se asnjë nxënës nuk mund të detyrohet apo t’i bëhet presion për pjesëmarrje në protesta apo tubime publike.
Duke qenë se bëhet fjalë për nxënës, shumica e të cilëve janë nën moshën 18-vjeçare, institucionet arsimore kanë përgjegjësi të veçantë për mbrojtjen e tyre, respektimin e të drejtave të tyre dhe garantimin e zhvillimit të rregullt të procesit mësimor.
Orari mësimor duhet të respektohet dhe nxënësit nuk duhet të organizohen apo largohen nga procesi mësimor për asnjë qëllim”.
Ministria u bën thirrje drejtorive komunale të arsimit dhe institucioneve edukativo-arsimore që të ndërmarrin masat e nevojshme për respektimin e këtyre kërkesave.
“Inspektorati Qendror i Arsimit, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, do të monitorojë zbatimin e këtyre kërkesave dhe do të trajtojë çdo informacion apo ankesë lidhur me detyrimin, presionin ndaj nxënësve apo pengimin e zhvillimit të rregullt të procesit mësimor”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
