Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mori pjesë për herë të parë në Paradën e Krenarisë, çka tha dje Kurti dhe cilat ishin reagimet?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka marrë pjesë në Paradën e Krenarisë në përkrahje të komunitetit LGBTQI+.

Ai gjatë paradës tha se pjesëmarrjen në Paradën e Krenarisë, aktivistëve dhe përfaqësuesve të organizatave ua ka premtuar qysh të hënën.

Kurti tha se në Kosovë, të gjithë duhet të jenë barabartë dhe secili duhet ta ketë të garantuar e të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin.

“Për komunitetin LGBTI, shteti dhe shoqëria duhet t’i mbrojë dhe të mësojë për ta. Me këtë rast, unë shpreh indinjatën time për numër të madh të abuzimeve, kërcënimeve dhe diskriminimeve që përjetojnë ky komunitet”.

“Ju e dëgjuat se si në mënyrë krenare bënë thirrje për barazi e liri, e aty ku thërrasin për barazi e liri jam edhe unë si kryeministër, sepse Republika jonë ndryshe s’ka kuptim”, tha Kurti,.

Tutje, kreu i qeverisë tha se ata do ta bëjnë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në kuvend.

“Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në kuvend. Edhe për nga vullneti dhe programi qeveritar, e edhe nga puna, nuk e kursejmë veten”, tha Kurti.

Ndëkaq, në një postim në Facebook, Kurti dje ka shkruar se në Paradë është bërë thirrje për baraza e liri. Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës janë të papranueshme kërcënimet, abuzimet dhe diskriminimet që përjetojnë anëtarët e këtij komuniteti, derisa shtoi se shoqëria dhe shteti duhet t’i mbrojë dhe të mësojnë për ta.

Ndër të tjerash, Kurti tha se njerëzit duhet pranuar, respektuar dhe dashur ashtu siç janë.

“Pjesëmarrësit e “Paradës së Krenarisë” sot bënë thirrje publike për barazi dhe liri. Janë të papranueshme kërcënimet, abuzimet dhe diskriminimet që i përjetojnë pjesëtarët e komunitetit LGBTQIA+. Shoqëria dhe shteti duhet t’i mbrojnë dhe duhet të mësojnë për ta. Të gjithë së bashku duhet të besojmë në të drejtat e njeriut, në dinjitetin dhe integritetin e çdokujt. Njerëzit duhet t’i pranojmë, respektojmë dhe duam ashtu qysh janë”, ka shkruar Kurti.

Përveç Kurtit, në Paradën e Krenarisë morën pjesë edhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama me bashkëshorten e tij, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, shefja e grupit parlamentar të VV-së Mimoza Kusari-Lila.

Reagimet për pjesëmarrjen e Kurtit në paradë

Dalja për herë të parë e kryeminsitrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Paradën e Krenarisë ka nxitur mjaft reagime. E këtë dalje të Kurtit në organizimin e komunitetit LGBT e ka komentuar ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rron Gjinovci.

“Prej sot, kush osht kundër LGBT osht kundër Albin Kurtit”, ka shkruar Gjinovci.

Koment për këtë ka edhe analistja Zana Avdiu. Ajo ka shkruar se më në fund kryeministri Kurti e bëri një punë të mirë.

“Albini i paska pri Paradës së Krenarisë, sot. Shyqyr, një pune te hajrit e bani”, ka shkruar Avdiu.

Ndërkaq, analisti Agon Maliqi ka thënë se nga një veprim i tillë i Kurtit, militanti mesatar do të përjetoj një kushllus të madh emocional, por thotë se ndoshta një pjesë edhe edukohen pak.

“Mospajtimet e thella anash, lajm i mirë dalja e parë e Kurtit në paradën e krenarisë, si vazhdimësi e një standardi tashmë të vendosur prej prijësve të shtetit. Militanti mesatar përjeton kushllus të madh emocional, por një pjesë e vogël ndoshta edhe edukohet pak.”, ka shkruar Maliqi.

Mirëpo, për këtë ka reaguar edhe deputeti i VV-së, Gramoz Agusholli, i cili ka votuar kundër kodit civil.

Ai ka bërë një reagim në profilin e tij, duke shkruar “Përgjithmonë familja. Shnosh”.