Lajme

​Murati: Bahri Fazliu, gjithë jetë ia kushtoi lirisë së vendit

Në 28-vjetorin e rënies së heroit të kombit, Bahri Fazliu te varri i tij kanë bërë homazhe familjarë e bashkëpunëtorë të tij. Njëri nga ta, Valon Murati tha se Bahri Fazliu dhe shumë dëshmorë të tjerë ndikuan në çlirimin e Kosovës.

Murati: Jetën ia kushtoi lirisë së vendit

“Sigurisht që ne sot jemi të nderuar, të pikëlluar, të emocionuar duke e kujtuar këtë figurë të madhe të luftës sonë çlirimtare sepse ai natyrisht në punën dhe veprën e tij bashkë me të gjithë dëshmorët e tjerë kanë ndikuar që një pjesë e atij misioni të realizohet, që Kosova të çlirohet. Sigurisht na mbetet edhe shumë të tjera, ideja e madhe e bashkimit shqiptar mbetet ende për t’u realizuar nga ne dhe brezat e tjerë. Por ajo që është e rëndësishme është që të gjithë duhet të dinë më shumë për dëshmorët, e për Bahriun ka çka të dihet shumë sepse ky nuk ka qenë vetëm një aktivist, nuk ka qenë vetëm një luftëtar i thjeshtë por ka qenë edhe një poet, ka qenë edhe një artist, ka qenë edhe një analist, ka qenë pra një intelektual me plot kuptimin e fjalës edhe gjithë jetën e tij, gjithë punën, veprën ja ka kushtuar lirisë së vendit, Kosovës, popullit shqiptar por edhe njerëzimit.”, tha Murati.

Te varri i heroit të kombit, Bahri Fazliu në 28-vjetorin e rënies së tij sot homazhe bën edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti e kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Bahri Fazliu ra më 7 maj të vitit 1998 në vendin e quajtur Bogiqe, në kufirin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Bahri Fazliu ishte njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe më vonë u angazhua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. 

Të Ngjashme