Koordinatorja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka reaguar ashpër ndaj PDK-së e protestuesve, duke i kritikuar për deklaratat dhe sulmet e fundit ndaj drejtuesve të LVV-së lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale.
Përmes një shkrimi, Mihali u është drejtuar anëtarëve të PDK-së, duke thënë se sulmet ndaj Vetëvendosjes nuk do të ndikojnë në qëndrimet e kësaj partie.
“O ju anëtarë të PDK që po sulmoni sot, një pjesë me vepra penale, një pjesë në ndërmarrje publike të Prishtinës, një pjesë drejtorë komunal të Prishtinës, sulmoni sa të doni drejtues të VETËVENDOSJE!s”, ka shkruar Mihali.
Ajo ka pretenduar se këto sulme nuk ndryshojnë asgjë dhe nuk ndikojnë në çështjet që lidhen me të dënuarit nga Dhomat e Specializuara.
“As nuk zgjidhni gjë as nuk ia lehtësoni dikujt dënimin”, ka deklaruar ajo.
Mihali ka kritikuar gjithashtu PDK-në për qasjen ndaj Vetëvendosjes, duke e krahasuar situatën aktuale me atë të së kaluarës.
“Dje sulmonit me policinë e instrumentalizuar me RashitQalat me shokë sot me duart tuaja. Keq dje, keq sot. Ende nuk u mbushët mend”, ka shkruar ajo.
Sipas Mihalit, PDK-ja po sulmon pikërisht persona që, siç pretendon ajo, kanë qenë kundërshtarë të Gjykatës Speciale.
“Po sulmoni ata që e kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale. Ish ushtarë të UÇK-së, ish të burgosur politikë, aktivistë politikë që edhe më shumë se ju e kanë kundërshtuar këtë gjykatë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka akuzuar PDK-në se është mashtruar në vitin 2015 lidhur me Gjykatën Speciale dhe se, sipas saj, e njëjta gjë po ndodh edhe tani.
“Nuk po e dini që ju kanë gënjyer në 2015 po ju gënjejnë dhe tash. Prapë ata që i kanë milionat e juve çdo herë veç ju kanë përdorur”, ka deklaruar Mihali.
Më tej, ajo ka thënë se sulmet politike ndaj kundërshtarëve nuk ndihmojnë të dënuarit nga Specialja, por mund t’i shërbejnë, sipas saj, argumenteve të Prokurorisë Speciale.
“Kështu duke sulmuar kundërshtarët politikë pa asnjë arsye veç sa po ia rëndoni atyre që u dënuan dhe për më keq po ia forconi tezën prokurorisë speciale”, ka shkruar ajo.
Në fund, Mihali ka theksuar se Vetëvendosje nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e saj ndaj Gjykatës Speciale.
“Asnjë veprim i juaji nuk ka efekt te Lëvizja VETËVENDOSJE! Ne bëjmë çka besojmë. E ne nuk i ndërrojmë besimet.
Jo gjykatës atëherë.
Jo dhe tani”, ka përfunduar Mihali.
