Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nagip Krasniqi shkarkohet nga pozita e kryeshefit të KEK-ut

Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se kanë liruar nga detyra e kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqin.

“Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. duke qenë i përkushtuar për qeverisjen e korporatës në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat që rrjedhin nga Ligji për Ndërmarrjet Publike, si dhe parimet e njohura ndërkombëtare për qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike, në mbledhjen e mbajtur dje me datë: 23.04.2024 ka marrë dy vendime të rëndësishme të cilat kontribuojnë në menaxhimin korporatës. Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. ka marrë vendim për të liruar nga detyra tashmë ish Kryeshefin Ekzekutiv, z. Nagip Krasniqi”, thuhet në njoftim.

Bordi i Drejtorëve të KEK po ashtu ka vendosur që në ditët në vijim të iniciohen procedurat për shpalljen publike (konkursin) për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të ri të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kujtojmë se Krasniqi ishte arrestuar nga Prokuroria Speciale më 19 prill 2023. Sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohej se kishte kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Ndërkohë, më 25 prill Bordi i KEK-ut e kishte pezulluar nga detyra e kryeshefit të kësaj korporate.

Ndaj të njëjtit më 20 prill 2023 ishte caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore. E njëjta gjykatë në shtator të 2023-së mori vendim për lirimin e tij nga paraburgimi.

Të njëjtit masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar KEK-ut dhe personave të punësuar në këtë korporatë, në afërsi prej 50 metrave.