Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Naim Murseli mohoi vrasjen e Liridonës, avokati zbulon prapaskenat: Po përpiqet të testojë prokurorinë nëse i ka të gjitha provat ndaj tij

 
   

Këtë dyshim, që prokuroria e Prishtinës tashmë e ka pistë kryesore, fillimisht e pati avokati Arbër Jashari i cili me anë të një postimi në facebook, shkruante se nuk ishte një grabitje por vrasje e organizuar.

I ftuar sot në Report Tv, avokati tregoi se ishin një sërë faktesh që e çuan atë deri në dyshimet se kishte qenë një vrasje e organizuar dhe jo një grabitje ndaj Liridona Murselit.

“Ishte një reagim i mbështetur në doktrinën shkencore, në një analizë logjike duke u mbështetur edhe në rrethanat e rastit në atë se çfarë kishte deklaruar i pandehuri kryesor”, argumentoi avokati.

Ai u shpreh se deklaratat e Naim Murselit ishin kontradiktore dhe se nuk kishin të bënin me një grabitje.

“Deklaratat e tij ishin tepër të kundërta dhe nuk përbënin vepër penale të grabitjes. Kam pasur dyshimet e mia duke u bazuar në deklaratat e tij dhe rrethanat konkrete. Mirëpo edhe nga doktrina juridike nuk kam pasur të vështirë të arrij në përfundimin se rasti i ngjante një vrasje sesa një grabitje. Grabitësi vret vetëm kur ndjehet i kërcënuar pasi qëllimi i tij është të marrë atë që ka synim, pra paratë. Gjithçka ishte e dyshimtë, fakti sesi ai e përshkruante grabitjen nuk ngjan me një grabitje reale. Fillimisht shpreha dyshimin tim sesi një veturë private me njerëz civile të grabitet”, u shpreh Jashari.

Më tej, i pyetur mbi deklaratën e të pandehurit i cili së fundmi ka ndryshuar sërish dëshminë e tij, duke mos e pranuar se ka inskenuar vrasjen e bashkëshortes, avokati tha se kjo mund të jetë një tentativë e Naim Murselit për t’u mbrojtur duke parë fillimisht nëse prokuroria ka siguruar provat e mjaftueshme që e nxjerrin fajtor.

“Në ditën e parë u tha që e ka pranuar. Sot prokuroria tha se në deklaratën e parë e ka pranuar. Pasi ka shkuar në qeli e ka menduar më gjatë dhe mund të testojë prokurorinë sesa prova mund të ketë. Nëse ka prova që janë të dyshimta dhe nuk janë të ndërlidhura atëherë këta mund ta bëjnë strategjinë e rezistencës deri në fund dhe të thotë se nuk vërtetohet se ka qenë ai që e ka organizuar”, shtoi ai.

Duke treguar për reagimet e njerëzve pas postimit të tij në facebook, ku shkruante se rasti i Liridona Murselit është një vrasje dhe jo grabitje, Jashari tha se ka pasur një mbrëmje të rënduar psikologjikisht.