Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aleanca do të mbrohet nga çdo kërcënim në hapësirë, pas raportimeve se Rusia po përgatitej të lançonte një satelit të pajisur me armë bërthamore.
Raportet e inteligjencës në lidhje me një lançim të mundshëm në 60 ditët e ardhshme ishin ndarë midis vendeve të NATO-s këtë muaj, sipas mediave gjermane. Nuk ishte e qartë se cili vend i kishte hartuar raportet, shkruan BBC.
I pyetur në lidhje me raportet, Rutte tha: “Ne gjithmonë do të sigurohemi që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, dhe kjo përfshin edhe sigurinë tonë kur bëhet fjalë për elementin hapësinor.”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk i kishte parë raportet e fundit, por i hodhi poshtë raportet që citonin “burime të panjohura” si “vështirë se ia vlen t’i marrësh seriozisht”.
Duke cituar burime anonime ushtarake dhe të inteligjencës gjermane, raportet nga transmetuesit NDR dhe WDR, si dhe gazeta Sueddeutsche Zeitung, thanë se sateliti rus u quajt “Sputnik-S” dhe ishte i pajisur me një kokë bërthamore.
Mund të përdoret për të prishur ose shkatërruar satelitë të tjerë, duke përfshirë satelitë të rëndësishëm komunikimi dhe vëzhgimi.
Josef Aschbacher, kreu i Agjencisë Hapësinore Evropiane, tha se të kesh armë bërthamore në hapësirë ishte “skenari më i tmerrshëm”, raportoi gazeta gjermane Handelsblatt.
