Analisti politik Blerim Burjani ka reaguar pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga drejtimi i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe zgjedhjes së Ardian Gjini në krye të partisë.
Burjani ka kritikuar edhe zgjedhjen e Gjinit, duke vlerësuar se ai nuk ka peshë të madhe politike brenda subjektit, ndërsa ka parashikuar se AAK-ja rrezikon të mos e kalojë pragun zgjedhor në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Pa Ramushin, AAK është kazan i thatë – tërheqja e Ramushit është taktikë politike. E keqja e fjalimit të tij është mos tregimi i së vërtetës për AAK-në.
Po vjen koha kur AAK e ka pothuajse të pamundur ta kalojë pragun zgjedhor. Madje, tingëllon si hajgare kur bartës i listës bëhet një njeri pa ndonjë rëndësi të madhe politike brenda AAK-së si koalicion i dikurshëm, ndërsa vetë Ramushi e rendit veten në vendin e 11-të të listës zgjedhore.
AAK dikur ishte një koalicion i gjerë politik, por u shkatërrua nga vetë njerëzit e saj. Kur e dëgjoj Ramushin duke folur, më vjen të qesh me mënyrën se si tallet me Ardianin, i cili, përveçse ishte servil politik, bashkë me disa satelitë të tjerë kontribuan në shkatërrimin e AAK-së si koalicion i gjerë me disa parti dhe me qytetarë të lirë politikisht.
AAK ishte koalicion politik, jo parti politike klasike. Megjithatë, edhe pas shpërbërjes së koalicionit, Ramushi personalisht – e jo AAK-ja si strukturë – arriti të fitojë dy herë postin e kryeministrit”, ka shkruar Burjani, përcjell “Bota sot”.
