Lajme

Ndryshimet politike në Serbi, Hasani tregon çfarë duhet të bëjnë shqiptarët – zbulon hapin që duhet ta ndërmarrin

Rezultati i Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, me 27 mijë e 607 vota dhe dy mandate deputetësh, ka rikthyer vëmendjen te përfaqësimi politik i shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ky rezultat, i arritur pas bashkimit të tetë subjekteve politike shqiptare në një listë të përbashkët, konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e Serbisë.

Në anën tjetër, fitorja e Listës Studentore dhe ndryshimet e mundshme në skenën politike serbe kanë hapur një kapitull të ri politik, i cili mund të krijojë hapësira për avancimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Megjithatë, mbetet të shihet nëse ky ndryshim do të shoqërohet me një qasje të re të Beogradit ndaj shqiptarëve dhe problemeve të tyre të kahershme.

Lidhur me këtë zhvillim, për “Bota sot” ka folur profesori dhe njohësi i çështjeve të Luginës së Preshevës, Refik Hasani, i cili vlerëson se bashkimi i tetë subjekteve politike shqiptare dhe sigurimi i dy mandateve parlamentare përbëjnë një rezultat të rëndësishëm, ndonëse, sipas tij, potenciali elektoral i shqiptarëve nuk është shfrytëzuar plotësisht.

Ai thekson se pasivizimi i adresave ka ndikuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e numrit të votuesve shqiptarë dhe në humbjen e mundësisë për të siguruar mandate shtesë. Në këtë drejtim, Hasani vlerëson se ndryshimet politike në Serbi duhet të shfrytëzohen për të kërkuar hetimin e kësaj dukurie dhe rikthimin e të drejtave të qytetarëve të prekur.

“Rezultati i Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit të këtij muaji në Serbi përbën një rezultat, por jo të pritshëm, pasi në legjislaturën që shkoi në Parlamentin e Serbisë, shqiptarët u përfaqësuan vetëm me një mandat deputeti. Në këto zgjedhje, tetë subjekte politike të shqiptarëve në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit arritën një marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët dhe siguruan dy mandate deputetësh.

Ajo që është historike, për herë të parë pas Referendumit të 1-2 marsit 1992, kryengritjes së armatosur përmes UÇPMB-së dhe Marrëveshjes së Konçulit, është se kësaj liste të përbashkët iu bashkua edhe një kandidate shqiptare nga Novi Pazari. Kjo është shumë me rëndësi, pasi Koalicioni Shqiptar u mbështet me votë edhe në Krahinën e Sanxhakut, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve”, shprehet Hasani.

Duke folur për potencialin elektoral të shqiptarëve, Hasani thotë se bashkimi i subjekteve politike ishte një hap pozitiv, por mobilizimi i votuesve nuk ishte në nivelin e duhur. Sipas tij, numri i votave të fituara nuk e pasqyron plotësisht potencialin e shqiptarëve me të drejtë vote në Luginën e Preshevës.

“Po, pajtohem se është një rezultat fillimisht i suksesshëm që tetë subjekte politike të shqiptarëve në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit arritën një marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët. Megjithatë, subjektet politike të shqiptarëve në këtë Krahinë nuk arritën sa duhet t’i mobilizojnë votuesit që të dalin në zgjedhje.

Nuk jam në dijeni saktësisht se sa për qind kanë votuar, por ky rajon ka më shumë shqiptarë me të drejtë vote sesa numri i 27 mijë e 607 votave të fituara. Mendoj se rreth gjysma e shqiptarëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në nivel të Serbisë publikon se mbi 65 për qind e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar. Për të pasur suksesin më të lartë, shqiptarët duhet të mobilizohen dhe të dalin në votime mbi 80 për qind e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote”, deklaron ai.

Hasani rikujton se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, shqiptarët e Luginës, përmes një liste të përbashkët, kishin siguruar tri mandate deputetësh. Sipas tij, në zgjedhjet e fundit është dashur të siguroheshin deri në pesë mandate, por një mundësi e tillë është cenuar edhe nga pasivizimi i adresave.

“Në vitin 2020, shqiptarët e kësaj Krahine, në zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë, përmes një liste të përbashkët, morën tri mandate deputetësh. Në zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit të këtij muaji në Serbi, është dashur të merrnim pesë mandate. Por, në këto zgjedhje, pasivizimi i adresave ka ndikuar në humbjen e mundësisë për të fituar së paku edhe dy mandate shtesë.

Qytetarët shqiptarë po përballen, përveç të tjerash, edhe me pasivizimin e adresave, ku janë hequr votues me të drejtë vote edhe nga regjistrat e votuesve. Kjo ka ndikuar në numrin e votave të mundshme për listën shqiptare, veçmas kur dihet mirëfilli se rreth 85 për qind e shqiptarëve në Medvegjë rezultojnë të pasivizuar, kurse në Zarbicë dhe Muhoc të Bujanocit kjo përqindje raportohet të jetë mbi 80 për qind”, thekson Hasani.

Ndryshimet politike në Serbi, mundësi për avancimin e të drejtave të shqiptarëve

Duke komentuar fitoren e listës studentore dhe ndryshimet në skenën politike serbe, Hasani vlerëson se është krijuar një rrethanë e re politike, e cila mund të ndikojë edhe në përfaqësimin e pakicave kombëtare në institucionet e vendit.

Sipas tij, dobësimi politik i Aleksandar Vuçiqit dhe mundësia e formimit të institucioneve të reja nga lista studentore krijojnë një moment që shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë për të kërkuar të drejta të barabarta dhe përfaqësim më të fuqishëm institucional.

“Ky rezultat do të ndikojë në përfaqësimin proporcional të tyre institucional, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Mbi të gjitha, në këto zgjedhje parlamentare është krijuar një rrethanë e re politike dhe kjo do të manifestohet edhe në Parlament, Qeveri e Presidencë, sepse Aleksandar Vuçiqi ka pësuar humbje të thellë dhe do të mbetet në opozitë, pasi për më shumë se një dekadë e gjysmë ishte në pushtet dhe kontrollonte të gjitha instancat në Serbi.

Lista e studentëve ka arritur të marrë më shumë se 52 për qind dhe e ka të drejtën kushtetuese të formojë institucionet e reja pa asnjë koalicion. Kjo, sipas meje, paraqet një forcim të opozitës dhe të gjithë pakicave që jetojnë në Serbi”, shprehet ai.

Në këtë kontekst, Hasani propozon që deputetët shqiptarë të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e pakicave të tjera kombëtare, si hungarezët, boshnjakët dhe bullgarët, duke krijuar një grup të përbashkët parlamentar. Sipas tij, një bashkëpunim i tillë do të mundësonte artikulimin më të fuqishëm të kërkesave të tyre dhe rritjen e presionit institucional për respektimin e të drejtave të pakicave.

“Deputetët e kësaj legjislature, hungarezë, shqiptarë, boshnjakë e bullgarë, duhet të formojnë një grup të përbashkët parlamentar dhe, nëse u afrohet oferta për koalicion, do të duhej ta pranonin me kushtin që të realizohen të drejtat e plota të pakicave, në përputhje me aktet dhe konventat ndërkombëtare.

Të gjithë deputetët joserbë, ky është momenti i fundit që të iniciojnë kërkesën për përfaqësim me vende të rezervuara në Parlamentin e Serbisë”, deklaron Hasani.

Kërkon hetim parlamentar për pasivizimin e adresave

Më tej, profesori Hasani thekson se dy deputetët shqiptarë duhet të shfrytëzojnë çdo mekanizëm parlamentar për të ngritur çështjet që prekin drejtpërdrejt shqiptarët në Serbi. Ai veçon nevojën për interpelanca ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe krijimin e një komisioni parlamentar që do të hetonte pasivizimin e adresave.

Sipas tij, bashkëpunimi me deputetët e pakicave të tjera mund t’u japë shqiptarëve më shumë fuqi për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet dhe për të siguruar rikthimin e të drejtave të qytetarëve që janë prekur nga kjo dukuri.

“Fitorja e listës së studentëve në Serbi, ashtu siç e ceka, ka krijuar një rrethanë të re politike dhe mendoj se ajo është e favorshme. Kjo do të manifestohet në Parlament, Qeveri e Presidencë. Dy deputetët shqiptarë, së bashku, duhet ta lidhin interesin politik me deputetët hungarezë, boshnjakë e bullgarë dhe të formojnë një grup të përbashkët parlamentar.

Ata duhet të kërkojnë interpelancë nga kryeministri, ministrat përkatës, presidenti, por edhe nga instancat më të larta të ushtrisë dhe policisë, për çështje të caktuara me interes të përgjithshëm që cenojnë të drejtat e pakicave.

Është momenti i fundit që të shfrytëzohet kjo mundësi për formimin e një komisioni parlamentar për hetimin e pasivizimit të adresave, në mënyrë që, pas hetimit, të gjithë qytetarëve të cilëve u janë pasivizuar adresat t’u kthehen ato”, përfundon Refik Hasani për “Bota sot”.

Të Ngjashme