Me rastin e Ditës së Veteranëve të Betejës së Koshares dhe përvjetorit të rënies së Heroit Sali Çekaj, sot në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë u mbajt akademi përkujtimore me pjesëmarrje të gjerë institucionale, ushtarake dhe familjare.
Në këtë akademi u vlerësua kontributi historik i Betejës së Koshares në rrugën e lirisë së Kosovës, si dhe sakrifica e luftëtarëve që ranë për çlirimin e vendit. Figura e Sali Çekajt u kujtua si simbol i organizimit, rezistencës dhe përkushtimit kombëtar.
Në akademi u përkujtuan edhe dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës, si Afrim Stajku, Aziz Gashi, Bejtë Kajdomçaj, Fatos Limani, Fisnik Ibrahimi, Hysni Temaj, Ilir Hoxha, Izet Morina, Leonard Palucaj, Luan Gashi, Majdi Korani dhe Shefqet Mustafaj.
Fjalë rasti mbajtën përfaqësues të institucioneve dhe të luftës çlirimtare, të cilët theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe nderimit të sakrificës së tyre.
Në fund të ceremonisë, Komandantit të Brigadës së Koshares, kolonel Rrustem Berisha, si dhe familjes së Salih Çekajt, iu ndanë çmime nga Forumi Shqiptar “Identiteti Kombëtar” nga Tirana, në shënim të 30-vjetorit të themelimit të këtij forumi. Çmimet u dorëzuan nga Milazim Maraj, anëtar i Bordit të Forumit.
Maraj: Sali Çekaj mbetet simbol i drejtësisë dhe përkushtimit kombëtar
Ky i fundit, si bashkëluftëtari i Çekajt, Milazim Maraj, ish-komandant i UÇK-së, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se ndjenjat ishin të përziera, dhimbje për të rënët dhe gjendjen e vështirë të veteranëve, por edhe krenari për luftën dhe fitoren.

Milazim Maraj
Ai ka kujtuar se emri i Sali Çekaj sjell shumë ngjarje nga një periudhë e vështirë për Kosovën nën Jugosllavi, duke përmendur rolin e Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Ndjenjat ishin të përziera dhe të forta. Ndjenja dhimbjeje për ata që sot nuk i kishim, për invalidët dhe gjendjen e mjerueshme të veteranëve; krenari për luftën dhe fitoren.
Kur përmendet emri i Salih Çekaj – Veteranit, sikur shpërthejnë në memorie shumë kujtime, ngjarje të natyrave të ndryshme, dukuri të paraqitura në skenën politike të Gadishullit Ilirik në atë kohë, dhe Kosova e mbërthyer në kthetrat e Jugosllavisë, me ndikim të madh nga Serbia. Reagimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetarit të saj, Dr. Ibrahim Rugova. Formimi i LDK-së si forcë politike që merr përgjegjësinë për lirinë e vendit dhe shpëtimin e shqiptarëve. Gatishmëria e personaliteteve të rëndësishme për të marrë përgjegjësi. Përkushtimi i secilit për të bërë të pamundurën për interes kombëtar. Uniteti dhe solidariteti i shqiptarëve për njëri-tjetrin. Solidariteti dhe gatishmëria e SHBA-së dhe e BE-së për përkrahje të pakushtëzuar. Angazhimi i shqiptarëve në tërë botën për të shpëtuar shqiptarët nga shfarosja.
Përpjekja për formimin e UJD-it në Kosovë dhe dështimi i tij që i befasoi shumë. Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve, monitorimi i tyre nga senatorë amerikanë. Formimi i Qeverisë dhe puna e saj, e mirë dhe e keqe, etj. Organizimi i rezistencës paqësore dhe alternativa e saj – rezistenca e armatosur. Marrëveshja me Shqipërinë për trajnimin e të rinjve për luftë. Armatosja e vazhdueshme. Formimi i zyrave ndërlidhëse në shtete të ndryshme, ku lejohej, dhe qendrat informative në këto zyra. Takimet me bashkëkombës nëpër Evropë, takimet me personalitete politiko-ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare. Gatishmëria për sakrificë dhe flijim. Pengesat, sulmet verbale dhe propaganda serbe, jo rrallë e interpretuar nga altoparlantë shqipfolës”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Maraj kujtoi se përmes figurës së Sali Çekaj nderohet edhe mendimtari Fehmi Agani, duke sjellë në vëmendje mesazhin e tij për moralin në politikë. Ai ka zbuluar se përplasjet e brendshme, përfshirë organizimin e FARK-ut dhe tensionet me Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk e lëkundën Çekajn, i cili i referohej shpesh thirrjeve të Ibrahim Rugova për qëndrueshmëri.
“Kur përkujtojmë Sali Çekajn përkujtojmë edhe dijetarin e madh Fehmi Aganin më fjalët e tij të urta që vinin si qetësues në momentin e vlimit.”Politika dhe morali nuk shkojnë gjithmonë bashkë, por mos e thëntë zoti të kemi politikë të pa moralshme”. Lufta për liri dhe lufta për të grabitur poste. Organizimi i FARK dhe pastaj tendenca për t’i krijuar kundërshtar të brendshëm UÇK. Prishja e strukturave të organizuara dhe përkrahja selektive, duke anashkaluar ata që ishin përgatitur dhe provuar shumë herë, ata që kalonin kufirin dhe kryenin detyra shumë të rëndësishme. Kjo dukuri dëmtojë shumë unitetin në momentin kur ai më shumë së çdo herë na duhej. Këto situata dhe shumë të tjera edhe më të vrazhda që do të jenë objekt analize institucionale dhe më të cilat nuk do të ngarkojë këtë shkrim, nuk e demoralizuan Heroin Kosovës Sali Çekaj. Ai në situata të tilla përmendte presidentin Rugova “Presidenti ka thënë: bëhuni burra të fort dhe qëndroni”. Projekti serb për përplasje në mes nesh nuk u realizua fal politikës së urtë dhe të mençur. Fal qëllimit të shenjët që të mos merremi më njeri tjetrin por të vazhdojmë luftën kundër Serbisë për të liruar Atdheun. Nuk shpëtuam krejt pa pasoja. Por evituam më të keqen. Raste për zhgënjim kishte shumë por Salihu ishte i qetë”, ka treguar Maraj.
Më tej, Maraj ka përshkruar se në kohën kur Serbia pretendonte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte shuar, Shtabi i GO3 vendosi për ofensivën vendimtare me moton “Vetëm liria e Kosovës e ndal luftën tonë”, duke nisur luftimet më 9 prill.
Ai ka kujtuar se edhe pas humbjeve, Sali Çekaj mbetej i pathyeshëm, duke u motivuar edhe më shumë për ta çuar luftën deri në çlirimin e plotë të vendit.
“Kur Serbia krekosej se nuk ka më UÇK, Shtabi i GO3 mori vendimin për çlirimin përfundimtar të Kosovës. Motoja e këtij projekti ishte: ‘Vetëm liria e Kosovës e ndal luftën tonë’. Dita “D” ishte 9 prilli. Ushtarët ishin të stërvitur mirë, të motivuar për luftë.
Lufta filloi. Komunikimi ishte i qartë, konkret dhe i shkurtër. Çdo urdhër përfundonte me refrenin ‘qartë, komandant’, dhe çdo informatë përfundonte me refrenin ‘bukuri, shumë bravo’. Autoblinda serbe kishte përfunduar si një dinozaur i ngordhur, kurse kamioni me plot ushtarë, minat tona e kishin hedhur në përrua. Britmat, kërkesat për ndihmë dhe vaji i tyre tashmë ishin në kulm.
Një ditë më vonë, karakolli i Koshares ishte nën komandën tonë. Luftohej për të çliruar fshatrat e tjera të Vokshit dhe Rekës së Keqe, për të vazhduar në tërë Kosovën. Pas rënies së shokëve të luftës, Salihu nuk demoralizohej, por sikur mbushej me energji dhe ndjenjë obligimi për të përfunduar luftën dhe për të arritur qëllimin e tyre”, ka shtuar ai.
Maraj ka rrëfyer se më 19 prill luftimet ishin tejet të ashpra, me përdorim të armëve të rënda nga forcat serbe dhe mungesë të përforcimeve për luftëtarët e UÇK-së.
Ai ka përmendur se rënia e Sali Çekaj, së bashku me Agim Ramadani, ishte një goditje e rëndë, por nuk e theu qëndresën.
“Dita e 19 prillit ishte ditë lufte. Armiku përdorte të gjitha llojet e armëve, duke përfshirë edhe armët për shkatërrim në masë, të ndaluara me konventa ndërkombëtare. Numri i ushtarëve, tani pas dhjetë ditësh lufte të pandërprerë, ishte më i vogël për detyrat që i prisnin.
Salihu erdhi vetë me një ushtar në përforcim. Lufta vazhdoi e pandërprerë deri në orën 17:00. Por kisha një brengë: nuk dëgjohej radiolidhja e Salihut, as e Fadilit. Droja se diçka e keqe kishte ndodhur u shtua. Provova disa herë, por pa sukses. Sapo u takuam me Fadilin, më tregoi: Salih Çekaj tani është pranë Agim Ramadanit.
Por kjo ditë nuk ishte e fundit për Salihun. Bashkëluftëtarët ishin edhe më të vendosur për të vazhduar luftën, për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë tokë tashmë të çliruar. Betimi u përsërit: ‘Aty ku ka rënë gjaku i Agim Ramadanit dhe Salih Çekajt, dhe i bashkëluftëtarëve tanë, nuk do të shkelë më këmba e armikut’.
Salihu nuk ishte në mesin tonë, por ishte në shpirtin e çdo luftëtari. Ai tani po jepte edhe më shumë porosi, komandonte. Komanda e tij tani kishte edhe më shumë forcë. Salihu këshillon edhe sot: për të mos e lëshuar atdheun tashmë të lirë, për të punuar me përkushtim dhe korrektësi, për humanizëm dhe dashamirësi për njëri-tjetrin”, ka nënvizuar Maraj.
Po ashtu, Maraj ka theksuar se mesazhi i Çekajt mbetet i qartë: një Kosovë e organizuar mirë, pa korrupsion, nepotizëm dhe krim të organizuar është kusht për mirëqenie dhe lumturi.
“Sali Çekaj – Veterani jep mesazh të qartë se vetëm në Kosovën tonë të pasur dhe të organizuar mirë do të jemi të lumtur. Fton që për këtë qëllim të punojmë të gjithë. Ai përkujton se kur ne donim njëri-tjetrin, të gjithë na donin ne; kur ne përkrahnim njëri-tjetrin, të gjithë na përkrahnin ne. Ai përkujton se me njerëzit e mirë është e tërë bota dhe Zoti.
Ai jep mesazhin kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kundër nepotizmit dhe çoroditjes së strukturave shtetërore. Jep mesazh të qartë se në vendet e caktuara shtetërore duhet të zgjidhen njerëz adekuatë. Sali Çekaj në mesin tonë është aktiv. Ai nderon me çmim për drejtësi juristët e mirë.
Ai përshëndet bashkëluftëtarët e vet dhe popullin shqiptar në përgjithësi më 17 Shkurt, 9 Prill; përshëndet më 11 Prill, 19 Prill, 2 Korrik, 7 Shtator, 28 Nëntor. Përshëndet edhe shqiptarët në Evropë dhe në botë. I falënderon për kontributin e tyre dhe i uron për përkushtimin e tyre kombëtar.
Salihu këshillon të rinjtë tanë që shkollohen jashtë atdheut të përfitojnë njohuri sa më shumë, të jenë miq për tërë njerëzimin, të ruajnë kulturën e tyre të lashtë dhe të mos harrojnë gjuhën e ëmbël shqipe, sepse është gjuhë e Zotit. Ai na shfaqet duke na përshëndetur rreth oxhakut bashkë me Agim Ramadanin.
Ai na bekon me fjalët e të madhit Rugova: “Zoti ju bekoftë ju dhe Kosovën tonë të shtrenjtë. Ne do të kujtojmë përherë pse u flijuan dëshmorët tanë. Lavdi.”, ka përfunduar Maraj.
Zogaj: Sali Çekaj, ndër nismëtarët e rëndësishëm të organizimit ushtarak

Skender Zogaj
Kurse, veprimtari Skender Zogaj ka treguar se Sali Çekaj ishte një nga nismëtarët e demokracisë dhe një veteran flamurtar, i cili e kuptoi dhe e zbatoi drejt porosinë filozofike të Dr. Ibrahim Rugovës për çlirimin e Kosovës përmes rezistencës paqësore dhe mbrojtjes së pragut të shtëpisë.
“Sali Çekaj ishte një nga nismëtarët e demokracisë dhe një veteran flamurtar, që e kuptoi drejt dhe mirë porosinë filozofike të Dr. Ibrahim Rugovës, i cili çlirimin e Kosovës e shihte përmes “rezistencës paqësore”, por edhe duke e “mbrojtur pragun e shtëpisë”.
Të dyja këto porosi të Dr. Ibrahim Rugovës, Sali Çekaj i zbatoi me përkushtim të lartë, si veprimtar politik i LDK-së dhe si nismëtar i programimit të strategjisë mbrojtëse të “pragut të atdheut”, i vetëdijshëm se do të vinte dita kur armikut do të duhej t’i zihej prita me grykën e armës. Për këtë arsye, Sali Çekaj është nismëtari i organizimit të përgatitjeve ushtarake të dy grupeve kosovare në Surrel të Dajtit, në Tiranë.
Pra, që në vitin 1991, Sali Çekaj ishte në veprim aktiv dhe ndër të parët që përgatiti bazën ushtarake, nga e cila doli edhe trimi hero Adem Jashari, sakrifica familjare e të cilit i dha epitetin legjendar”, ka thënë ai.
Zogaj ka rrëfyer se e ka njohur dhe ka bashkëpunuar me Sali Çekajn para dhe gjatë luftës, duke e përshkruar si një burrë të urtë, serioz, modest, por iniciativ dhe këmbëngulës.
Sipas tij, Çekaj ishte ndër themeluesit e FARK-ut dhe një nga komandantët e Betejës së Koshares, të cilën e ka quajtur të lavdishme dhe të paguar me gjakun e tij.
“Sali Çekajn e kam njohur dhe kemi bashkëpunuar para dhe gjatë luftës. Ka qenë një burrë i urtë, serioz dhe i hareshëm, modest, por iniciativ dhe këmbëngulës për t’i dalë zot fjalës. Kur në Tiranë u tubua elita ushtarake kosovare, Saliu ishte ndër themeluesit e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe një nga komandantët e Betejës së Koshares, lavdinë e së cilës e ka ujitur me gjakun e tij”, ka thekesuar Zogaj.
Në fund, Zogaj ka thënë se Sali Çekaj ishte një figurë frymëzuese para dhe gjatë luftës, ndërsa vdekja e tij e hershme dhe e bashkëluftëtarëve përbën një humbje të madhe. Sipas tij, po të ishte gjallë, Kosova sot do të ishte ndryshe dhe më e përparuar në shumë aspekte.
Ai ka nënvizuar se Sali Çekaj ishte një figurë frymëzuese para dhe gjatë luftës, duke thënë se po të ishte gjallë, Kosova sot do të ishte ndryshe dhe më e përparuar në shumë aspekte.
“Sali Çekaj ishte një figurë frymëzuese para dhe gjatë luftës. Prandaj, vdekja e tij e hershme dhe e shokëve të tij është humbje e madhe, sepse, po të ishte gjallë, Kosova sot do të ishte për shumëçka ndryshe, për shumëçka më e përparuar”, ka përfunduar Zogaj.
