Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Nervozohet dëshmitari në Speciale: Më thanë tradhtar i kombit, gjykatësi e ndërprenë seancën

Dëshmitari i parë pa masa mbrojtëse në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, Agim Idrizi, ka përfunduar dëshminë para trupit gjykues, duke thënë duhet t’u vijë turp atyre që e kanë quajtur tradhtar i kombit.

Ai në përfundim të seancës ka gjuajtur dëgjueset, duke thënë se kërkon nga njerëzit në Kaçanik të tregojnë se kur ka qenë ai polic dhe cilin nga shqiptarët e ka dërguar në burg në kohën e paraluftës, shkruan kp.

Pas kësaj gjykatësi ka dhënë pauzë.

“Tash dua t’i bëjë thirrje në Kaçanik që nëse dikush ka informacione për Agim Idrizin që kam dërgu shqiptarë në burg, le t’i shkruajnë diku, le të mi dërgojnë shënimet cilin shqiptar e kam dërgu në burg dhe kujt i kam lajmëruar ardhjen, këtu dua ta dijë dhe a kam qenë polic dhe a kam qenë rojtar i pyllit.

Këtë duhet ta bëjnë publike ata në Kaçanik. Se dje menjëherë ma kishin shkruar tradhtar i kombit, marre duhet me iu ardhë, a di kujt i thonë tradhtar i kombit. Më kanë korit, ata ma kanë pru punën të vijë këtu. Dikush duhet ta paguaj jetën time se ma kanë shkatërruar. Falënderoj gjykatën që më kanë mundësu me ardhë këtu sepse unë vet kam kërkuar, jo gjykata”, tha ai.

Ai gjatë ditës ka akuzuar një person se si pjesëtar i UÇK-së, ka keqpërdorur detyrën duke e rrahur atë dhe familjen e tij.

Idrizi ka pranuar se problemet në mes familjes së tij dhe një familje tjetër, ishin që para luftës.

Ndryshe, në orët e paradites mbrojtja e Rexhep Selimit ka pyetur dëshmitarin e parë pa masa mbrojtëse në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, Agim Idrizi, lidhur me dëshminë e tij për rrahjen e tij dhe familjarëve të tij nga Enver Axhami.

Idrizi ka akuzuar Axhamin se në emër të UÇK-së, i ka rrahur të afërmit e tij. Megjithatë, ka treguar për problemet që kishin me familjen Axhami që para luftës, pastaj probleme për një tokë dhe akuza e kundër akuza në mes këtyre dy familjeve.

Ai ka pranuar se pa dijeni ka marrë në pyll drutë e Axhamit, derisa përmendi lopët e vjedhura nga familja Axhami në gjithë Kaçanikun.

Dëshmitari Idrizi është pyetur nga mbrojtja e Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts lidhur me deklaratën e dhënë në personelin e UNMIK-ut, në vitin 2001, lidhur me rrahjen që iu ka bërë atij për shkak të një toke të shitur në vitin 99 në Llanisht të Kaçanikut.

Sipas tij, Qazim Idrizi ia ka shitur tokën Bajram Brutit, por ishte Enver Axhami ai që e kërkonte ketë tokë. Ky i fundit ka shkuar në shtëpi të Qazim Idrizit dhe ia ka gjuajtur paratë në shtëpi edhe pse pronari i ligjshëm ishte Bajram Bruti. Megjithatë, në pyetjet e mbrojtjes, ai ka treguar për shumë probleme që kishte familja e tij me familjen Axhami, edhe para luftës.

Dëshmitari e ka konfirmuar se gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka thënë se për dy vite kishin probleme me tokën.

“Vehbi Koka na ka bërë krejt këto sherre se këta nuk kanë mund t’i bëjnë këto sene. Ai ka punuar me policinë serbe dhe më ka fut emrin aty, tash nuk ta heq dreqi, krejt shajnë, gjysma shajnë…a mund të themi se problemi që ke pasur me Enver Axhamin është për shkak se ai ka përhapur gënjeshtra për ty… në Kaçanik e dinë se Arkan nuk ka pasur kurrë. Edhe Sami Axhami kur ka thënë se Agimi më ka rreh me policë, kjo është gënjeshtër se nuk është e vërtet dhe kjo që ka thënë Agimi ka qenë polic nuk është e vërtet, roje i pyllit, nuk është e vërtet…i ka qit punë edhe UÇK-së, njeriu i keq, ai do të duhej të dal e të më vras mua para luftës jo me ushtrinë të dal e të marrë hakun“, tha ai, raporton kp.