2 kivi çdo darkë mund të bëjnë mrekulli! Vetem 2 kokrra nga ky frut po konsiderohet një zakon i thjeshtë dhe natyral që mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së gjumit.
Ky frut përmban melatoninë dhe serotoninën, dy substanca që luajnë rol kyç në rregullimin e ciklit të gjumit dhe në relaksimin e trupit. Për këtë arsye, ngrënia e kivit në mbrëmje mund ta ndihmojë organizmin të përgatitet më mirë për pushim, duke e bërë më të lehtë fjetjen dhe duke rritur cilësinë e gjumit.
Përveç efektit në gjumë, kivi sjell edhe përfitime të tjera për shëndetin. Ai ndihmon në uljen e stresit duke ndikuar në nivelet e kortizolit, përmirëson tretjen falë enzimave natyrale dhe jep ndjesi ngopjeje, çka mund të shmangë ngrënien e tepërt gjatë natës. Gjithashtu, për shkak të indeksit të ulët glicemik dhe përmbajtjes së fibrave, nuk shkakton luhatje të menjëhershme të sheqerit në gjak.
Studimet sugjerojnë se personat që konsumojnë dy kivi rreth një orë para gjumit flenë më shpejt, kanë gjumë më të thellë dhe zgjohen më të pushuar. Për më tepër, ky frut ka pak kalori dhe mund të konsumohet pa shqetësim edhe në mbrëmje.
Si kivi i gjelbër ashtu edhe ai i verdhë ofrojnë vlera ushqyese, ndaj përfshirja e tyre në rutinën e natës mund të jetë një hap i vogël, por i dobishëm drejt një jetese më të shëndetshme.
