Lajme

Netanyahu refuzon planin 15-pikësh të Trumpit për Gazën

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë planin e Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën.

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Jerusalem të dielën, ai deklaroi qartë se Izraeli nuk e pranon planin në formën aktuale.

“Izraeli e hedh poshtë planin me 15 pika. Dëgjova njerëz të thoshin, nuk e thatë ju, e thamë ne, por ja ku e them përsëri, Izraeli e hedh poshtë planin me 15 pika. Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk do të kryejnë asnjë tërheqje derisa Hamasi të çarmatoset”, deklaroi Netanyahu.

Netanyahu tha se Izraeli është në bisedime me administratën amerikane dhe se palët kanë dallime për disa nga pikat e planit.

“Tani po flasim me amerikanët për këtë çështje. Ata kanë ide, disa prej të cilave janë të pranueshme për ne dhe disa jo. Ne dimë si t’i përballojmë këto gjëra, e kemi dëshmuar në të kaluarën dhe po e dëshmojmë edhe sot”, tha ai.

Plani 15-pikësh parashikon që çarmatosja e Hamasit dhe tërheqja graduale e forcave izraelite nga Gaza të zhvillohen paralelisht.

Aktualisht, forcat izraelite kontrollojnë më shumë se 60 për qind të territorit të Rripit të Gazës.

Sipas planit, Hamasi do t’ia dorëzonte armët një Komiteti Kombëtar të ngarkuar me administrimin e Gazës.

Hamasi dhe fraksione të tjera palestineze ranë dakord më 30 korrik për një dokument që përcakton çarmatosjen e tyre, plan të cilin Presidenti Trump e cilësoi si një “hap monumental”.

Megjithatë, grupet palestineze kanë bërë të ditur se çarmatimi është i kushtëzuar nga tërheqja e Izraelit nga Gaza dhe përparimi në rindërtimin e territorit.

Izraeli ka vazhduar sulmet vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pothuajse çdo ditë edhe pas marrëveshjes për armëpushim me Hamasin tetorin e kaluar.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga ajo kohë, në sulmet izraelite janë vrarë të paktën 1 mijë e 250 persona dhe janë plagosur rreth 4 mijë e 120 të tjerë./teve1.info/

Të Ngjashme