Lajme

Nga 1 korriku pensione më të larta, qeveria i indekson me 2.7%

Rreth 900 mijë pensionistë dhe përfitues të skemave sociale do të marrin pagesa më të larta duke nisur nga 1 korriku, pasi qeveria ka miratuar indeksimin vjetor të pensioneve me 2.7%. Vendimi synon të kompensojë efektet e rritjes së çmimeve dhe inflacionit, duke sjellë një shtesë në të gjitha kategoritë e pensioneve dhe përfitimeve që administrohen nga skema publike.

Vendimi u miratua në mbledhjen e qeverisë të së premtes dhe u prezantua nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

“Miratuam indeksimin e pensioneve për vitin 2026. Një vendim i cili po rikthehet në shtratin që ka pasur”, deklaroi Ibrahimaj, duke kujtuar se në vitin 2022 pensionet u indeksuan dy herë, në prill dhe në tetor, për shkak të situatës së krijuar nga inflacioni.

Sipas saj, nga ky vit rikthehet skema e zakonshme e indeksimit, ndërsa rritja prej 2.7% do të zbatohet për të gjitha pensionet e pleqërisë, pensionet e veçanta, si edhe për përfitimet e tjera sociale.

“Që prej këtij viti do t’i indeksojmë pensionet me 2.7%. Të gjitha pensionet e pleqërisë, por edhe pensionet e veçanta, apo edhe përfitimet e barrëlindjeve. Janë rreth 900 mijë përfitues”, u shpreh ministrja.

Të Ngjashme