Vjosa Osmani po vazhdon turin e saj nëpër qytetet e Kosovës, duke shtuar praninë në aktivitete publike dhe takime me qytetarë. Së fundi, ajo ka qëndruar në Gjilan, ku ka zhvilluar një aktivitet me pjesëmarrje të gjerë.
Në fotografitë e publikuara nga vetë Osmani në rrjetet sociale, vërehet edhe prania e ish-deputetes së Lidhjes Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku. Kjo paraqitje e përbashkët ka tërhequr vëmendje, duke nxitur interpretime të ndryshme në opinion lidhur me mundësinë e afrimeve politike.
Vizitat e Osmanit në qytete të ndryshme po shihen si pjesë e një angazhimi më të gjerë publik, në një kohë kur në skenën politike në vend po intensifikohen diskutimet për zhvillimet e ardhshme dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, pjesëmarrja e figurave të njohura politike në këto aktivitete po konsiderohet nga njohësit e rrethanave si një sinjal i mundshëm i komunikimit dhe bashkëpunimit politik në të ardhmen
Nimani: Vizitat e zonjës Osmani në qytetet e Kosovës sinjalizojnë se ajo është në përpjekje të krijimit të një subjekti politik
Analisti Artan Nimani në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se vizitat e Vjosa Osmani nëpër qytete tregojnë përpjekje për krijimin e një subjekti politik dhe mundësi për zgjedhje të parakohshme.
Ai përmend tri opsione për të: t’i bashkohet Lidhja Demokratike e Kosovës, por me rrezik përçarjeje; të krijojë parti dhe pastaj të hyjë në koalicion me LDK-në ose të garojë e vetme, me rrezik të mos kalojë pragun.

Artan Nimani
Sipas tij, opsioni më i mundshëm është bashkimi me LDK-në si listë, nëse ka pajtim.
“Turi (vizitat) e zonjës Osmani në qytetet e Kosovës sinjalizojnë se ajo është në përpjekje të krijimit të një subjekti politik (vazhdimësi e “Guxo” ose tjetër). Ky është angazhim legjitim i saj dhe supozim se Kosova gjendet para zgjedhjeve të tjera të parakohshme. Pjesëmarrja e saj në tubime publike nuk paraqet befasi, sepse edhe veprimet e subjekteve tjera politike tashmë kanë filluar parafushatën. Para zonjës Osmani gjenden disa alternativa:
1/ T’i bashkohet LDK-së, por me rrezikun që të shkaktojë përçarje brenda kësaj partie. Disa nga udhëheqja e LDK-së e konsiderojnë fajtore për rënien e madhe të LDK-së para 6 vitesh dhe vështirë që do të pajtohen me kthimin e saj në këtë parti;
2/ Mund të formojë parti tjetër dhe pastaj t’i bashkohet LDK-së si listë, ngjashëm si kishte bërë me “Guxo” kur iu bashkua Vetëvendosjes;
3/ Mund të garojë në zgjedhjet e ardhshme edhe me parti të veten, por me rrezikun që të mos kalojë pragun. Përvoja e deritashme në Kosovë tregon se partitë e reja vështirë gjejnë terren. Me gjasë opcioni më i mirë për të do të jetë që si listë t’i bashkohet LDK-së, kuptohet nëse për këtë do të ketë pajtim të udhëheqjes së LDK-së”, shpjegoi ai për gazetën.
Koci: Kjo pjesëmarrje mund të lexohet si një sinjal i një afrimi njerëzor dhe politik
Kurse, analisti Melazim Koci, për “Bota sot” potencoi se pjesëmarrja e Valentina Bunjakut në aktivitetin e Vjosa Osmanit është normale dhe tregon komunikim e afrim politik, sidomos duke pasur parasysh hapjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për bashkëpunim.

Melazim Koci
“Lidhur me pjesëmarrjen e Valentina Bunjaku në aktivitetin publik të Vjosa Osmani në Gjilan, kjo mund të interpretohet në kuadër të një komunikimi të hapur politik dhe një dinamike normale të ndërveprimit publik në vend.
Siç dihet, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës në periudha të ndryshme ka shprehur gatishmëri për hapje dhe bashkëpunim, përfshirë edhe ndaj znj. Osmani. Në këtë kontekst, është krejtësisht e natyrshme që individë apo figura politike që dikur kanë rrugëtuar bashkë, të shfaqin afrim, komunikim apo prezencë të përbashkët në aktivitete publike”, tha ai.
Sipas tij, kjo pjesëmarrje tregon më shumë afrim njerëzor e politik sesa marrëveshje konkrete, dhe thekson rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit.
“Kjo pjesëmarrje mund të lexohet si një sinjal i një afrimi njerëzor dhe politik, më shumë sesa një tregues i menjëhershëm për krijimin e një subjekti të ri apo një marrëveshje konkrete elektorale. Në të njëjtën kohë, ajo bart një mesazh të rëndësishëm për publikun: se bashkëpunimi dhe dialogu mbeten vlera të domosdoshme në funksion të interesit qytetar dhe zhvillimit demokratik.
Në thelb, për mendimin tim, një afrim i tillë është i natyrshëm dhe i pritshëm, sidomos ndërmjet atyre që kanë ndarë më herët të njëjtin vizion dhe angazhim politik” – përfundon Melazim Koci për “Bota sot”.
