Dëshmitarja Helen Fraser duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë pranoi se ka marrë një përqindje të vogël të dosjeve të audiove nga mbrojtje e Hashim Thaçit për analizim, e që pastaj janë përfshirë në raportin e saj lidhur me interpretimin e tingujve.
Përpara kësaj, prokurori Joshua Hafetz i tha dëshmitares së në këtë çështje gjyqësore janë pranuar në prova 348 dosje të audiove që mbulojnë 28 orë të audio-incizimeve.
Por sipas prokurorit, dëshmitarja ka thënë në raport që ka marrë vetëm tetë dosje audio ose përreth kësaj shifre. Rrjedhimisht, sipas tij, kjo i bie që në raportin e saj janë përfshirë më pak se 3% e dosjeve të audiove.
Pas kësaj, Hafetz pyeti dëshmitaren se a i bie kjo që ajo nuk di asgjë lidhur me 97% e mbetur të audiove në këtë çështje gjyqësore. Lidhur me këtë, Helen Fraser e pohoi.
Por, ajo tha se nuk e ka pyetur mbrojtjen e Thaçit që t’i japë më shumë dosje të audiove për t’i përfshirë në raportin e saj.
Përveç kësaj, ajo tha se nuk i kujtohet se çfarë udhëzimesh dhe pyetjesh i bëri mbrojtja e Thaçit të cilat më pas sollën raportin e Fraser.
Ndër tjerash, ajo tha se me mbrojtjen ka komunikuar përmes zoom, e po ashtu edhe përmes e-mailit.
Fraser shtoi se mbrojtja i ka thënë që këto materiale që janë nga vizita e 3 shtatorit dhe ajo e 6 tetorit 2023, janë përfaqësuese.
“Unë nuk kam pasur materiale tjera dhe përfundimet e mia i kam mbështetur në këto dy vizita”, tha Fraser.
