Lajme

Ngritet aktakuzë ndaj pilotit kroat dhe partneres së tij serbe që spiunuan për situatën në Kosovë

Prokuroria e Qarkut në Split ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj shtetasit kroat, J.I., i cili ishte pilot ushtarak në Forcat Ajrore të Kroacisë, dhe serbes nga Kosova A.M., e cila ishte partnerja e tij prej shumë vitesh. Të dy ishin arrestuar në gusht të vitit të kaluar nën dyshimin për spiunazh, raportoi Index.

Sipas Prokurorisë kroate, piloti, gjatë kohës që shërbente në Forcat e Armatosura të Kroacisë, nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022, në mënyrë të përsëritur i kishte vënë në dispozicion partneres së tij informacione të klasifikuara, të cilat i kishte marrë ose që i ishin bërë të qasshme gjatë kryerjes së detyrës.

Në aktakuzë thuhet se ai e dinte që partnerja e tij po i mblidhte këto informacione për një shtet të huaj. Shtetasja serbe akuzohet se më pas ua kishte përcjellë informacionet e siguruara disa adresave jashtë vendit.

Dyshimet ndaj tyre lidhen edhe me spiunazh rreth situatës në Kosovë. Piloti kroat dyshohet se derisa kishte shërbyer në KFOR i ka dhënë informacione mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it të dashurës së tij serbe, e cila më pas ia ka dhënë ato Listës Serbe.

Dyshohet tutje se ai i zbuloi asaj informacione të rëndësishme mbi lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës që nga fundi i vitit 2022, ashtu si edhe për lëvizjet e trupave të KFOR-it, si dhe zhvillimet në përgjithësi në veri të Kosovës.

Prokuroria e Qarkut në Split i ka propozuar Gjykatës së Qarkut vazhdimin e masave paraprake ndaj të akuzuarës, për shkak të rrezikut të arratisjes.

Të Ngjashme