![](https://i0.wp.com/www.fiks.al/wp-content/uploads/2023/09/nikaj-policia-me-koordinim-te-kfor-it-ne-veri-ky-eshte-kthim-shume-prapa_64fa4d2f8dc6a.jpeg?resize=850%2C427&ssl=1)
Bernard Nikaj i PDK-së tha se deklarata e sotme e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se duhet koordinim me NATO-n edhe për dërgimin e forcave speciale policore në veri të vendit, është rezultat i drejtpërdrejtë i mos-koordinimit dhe veprimeve të qeverisë në fund të majit të këtij viti, të ndërlidhura me kryetarët e komunave dhe me krizën që pasoi aty pastaj.
Për emisionin Edicioni Special në Klan Kosova, ai shtoi se kjo ka të bëjë me tendencën e NATO-s që të sigurojë një ambient të sigurt dhe te sigurohet që ka koordinim mes cilado forcave të sigurisë, përfshirë këtu edhe Forcat Speciale të Policisë së Kosovës, dhe trupave te KFOR-it këtu në Kosovë, me qëllim që të shmangen elementet e dhunës dhe zhvillimeve që i kemi parë këtu në ditën e 29 majit dhe ditët pasuese atëherë.
“Ky është një zhvillim negativ për Kosovën, se asnjëherë më parë NATO-ja nuk ka kërkuar që Policia e Kosovës e as Forcat Speciale të Policisë së Kosovës të kërkojnë leje apo të koordinohen me KFOR-in me rastet e intervenimit në pjesët veriore të vendit”, deklaroi Nikaj.
Tutje ai tha se ky është kthim shumë prapa sepse e vë në dyshim besimin e NATO-s në dëshirën dhe vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të koordinohet me trupat e KFOR-it dhe me NATO-n për veprimet e tyre.