Lajme

Babai humb jetën pasi bie në humnerë, tentoi të shpëtonte djalin 14-vjeçar

Një ngjarje tragjike ka tronditur një familje në Kaliforni të SHBA-së, ku një 44-vjeçar humbi jetën pasi ra rreth 150 metra në një humnerë, teksa po përpiqej të ndihmonte djalin e tij 14-vjeçar, i cili kishte rrëshqitur gjatë një ecjeje në mal.

Guillermo Batres kishte nisur të dielën, më 22 nëntor, një ngjitje drejt malit Mount Baden-Powell, së bashku me djalin e tij, Sebastianin, dhe bashkëshorten Ruth. Maja, e cila ndodhet rreth 2,865 metra mbi nivelin e detit, ishte e mbuluar me borë dhe akull, shkruan People, transmeton IndeksOnline.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, pak pasi nisën ecjen, Ruth vendosi të kthehej, pasi nuk ndihej mirë. Ndërkohë, Guillermo dhe djali vazhduan rrugën drejt majës.

Një video e publikuar nga mediat amerikane tregon babanë duke ecur nëpër borën e ngrirë së bashku me të birin. Pamjet ndërpriten papritur në momentin kur dëgjohet Guillermo duke thënë: “Cuidado!” (Kujdes!).

Bashkëshortja e tij tregoi se videoja përfundonte pikërisht në momentin kur Sebastian rrëshqiti dhe arriti të mbahej pas një peme. Babai u përpoq t’i vinte në ndihmë, por edhe ai rrëshqiti mbi një sipërfaqe të mbuluar me akull dhe ra rreth 150 metra poshtë, në një humnerë të thellë.

Pas njoftimit për ngjarjen, autoritetet dërguan një helikopter shpëtimi në zonë. Një ekip mjekësor e gjeti 44-vjeçarin brenda humnerës, rreth orës 11:05, por ai kishte ndërruar jetë.

Ndërkohë, 14-vjeçari arriti të shpëtonte falë ndihmës së dy alpinistëve të tjerë, të cilët i dhanë pajisje speciale për këpucët, të njohura si microspikes, për të shmangur rrëshqitjen në akull, dhe e shoqëruan drejt një zone të sigurt.

Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut të Los Angelesit konfirmoi se shkaku i vdekjes së Batres ishin dëmtimet e rënda të shkaktuara nga përplasja, ndërsa ngjarja u klasifikua si aksidentale.

Familja e tij është zhytur në zi pas humbjes së papritur. Mbesa e viktimës, Jennifer Morse, ka hapur një fushatë në platformën GoFundMe për të ndihmuar familjen me shpenzimet e ceremonisë mortore dhe nevojat e tjera financiare.

“Familja e Guillermo-s është e tronditur, në zi dhe po përballet me një humbje të paimagjinueshme”, thuhet në përshkrimin e fushatës.

Morse e cilësoi ngjarjen si një humbje zemërthyese dhe tragjike, duke falënderuar të gjithë ata që po kontribuojnë për ta ndihmuar familjen në këtë periudhë të vështirë.

Deri më tani, fushata e bamirësisë ka mbledhur mbi 33,500 dollarë, ndërsa familjarët përpiqen të përballojnë dhimbjen e humbjes së një bashkëshorti dhe babai, i cili humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar të birin.

Të Ngjashme