Deputetja Fitore Pacolli ka reaguar lidhur me mbrojtjen e burimeve ujore në Kosovë, duke publikuar edhe pamje nga rrënimi i një objekti pranë një zone ujore.
Pacolli ka deklaruar se ujërat janë pasuri jetike dhe se mbrojtja e tyre duhet të jetë prioritet.
“Degradimet dhe ndërtimet e papërgjegjshme përgjatë liqeneve dhe burimeve ujore nuk do t’i tolerojmë”, ka shkruar ajo.
Sipas Pacollit, Kosova ka mungesë të pasurive ujore, ndërsa ndryshimet klimatike po e bëjnë edhe më të pasigurt të ardhmen e tyre.
Ajo ka theksuar se mbrojtja e ujërave është përgjegjësi qytetare, institucionale dhe kombëtare.
“Ato që i kemi sot duhet t’i ruajmë me kujdes, që t’ua lëmë edhe brezave që vijnë. Uji është jetë dhe do ta ruajmë si pasuri kombëtare”, ka shkruar Pacolli.
Postimin ajo e ka shoqëruar me një video ku shihet një ekskavator duke rrënuar një objekt në afërsi të një sipërfaqeje ujore.
