Stuhia Ciaran ka përfshirë disa rajone të Britanisë së Madhe shoqëruar me erëra të forta dhe rrebeshe të fuqishme.
Agjencia Kombëtare e Motit në Britaninë e Madhe ka paralajmëruar se disa shërbime transporti janë ndërprerë, ndërsa disa linja avioni kanë pezulluar fluturimet për shkak të erës së fortë. Një alarm i verdhë është vendosur edhe në Irlandën e Veriut pasi lumenjtë dhe përrenjt rrezikojnë të dalin nga shtrati. Policia ka këshilluar njerëzit që të shmangin udhëtimet e panevojshme.
Në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, Agjencia e Mjedisit ka lëshuar më shumë se 25 paralajmërime për përmbytje. Stuhia Ciaran vjen vetëm një javë pasi përmbytjet si pasojë e stuhisë ‘Babet’ përfshinë një pjesë të madhe të Mbretërisë së Bashkuar.
Shirat e fuqishëm dhe erërat e forta pritet të godasin edhe Francën jugperëndimore e cila do të jetë e pranishme deri në fundjavë. Ndërkaq probleme janë shënuar edhe në veriun e Italisë. Dalja e disa lumenjve nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në Verona.
Në Milano, një rrebesh i madh shkaktoi pezullimin e linjës së metrosë dhe linjave të autobusëve të qytetit. Moti i keq në rajonin Emilia Romagna shkaktoi shembjen e pjesshme të dy urave në Parma dhe Piacenza. Rrjedhat e vrullshme të ujit rrëmbyen një burrë, i cili sapo ishte larguar nga shtëpia e tij në Piacenza.
Probleme pati edhe në qytete të tjera të rajonit të Lombardisë. Në Breshia, autoritetet evakuuan mbi 200 banorë nga zonat periferike të qytetit. Sipas parashikimeve të meteorologëve moti i keq në Itali do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshmeKlan News