Lajme

“Nuk është rastësi”, Musliu ‘godet’ opozitën pas vendimit të KFOR-it: Po rrëzohet propaganda kundër Kurtit

Vendimi i KFOR-it për të nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit është vlerësuar si një zhvillim me rëndësi të veçantë për Kosovën. Ky hap ka nxitur diskutime mbi forcimin e institucioneve vendore dhe përgjegjësinë e tyre në garantimin e sigurisë në të gjithë territorin e vendit.

Për këtë zhvillim, për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, i cili e konsideron vendimin e KFOR-it si një vlerësim të rëndësishëm për institucionet e Kosovës dhe veçanërisht për Policinë e Kosovës.

Sipas tij, vendimi nuk duhet parë si një zhvillim i papritur, por si rezultat i një procesi të gjatë vlerësimesh nga KFOR-i dhe NATO-ja, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

“Edhe përkundër zhvillimeve destruktive të opozitës në Kuvendin e Kosovës, ditë më parë KFOR-i dha një lajm të mirë, respektivisht misioni i KFOR-it, i cili për 27 vite kishte ruajtur urën mbi lumin Ibër, ka vendosur që këtë angazhim gradualisht t’ia dorëzojë në kompetenca Policisë së Kosovës. Po ashtu, KFOR-i bëri të ditur se edhe në Manastirin e Deçanit do të bëhet integrimi gradual i Policisë së Kosovës”, deklaroi Musliu.

Image
Skënder Musliu

Ai vlerëson se vendimi i KFOR-it është marrë pas analizave të hollësishme të situatës së sigurisë dhe përmes një procesi të vazhdueshëm bashkëpunimi me institucionet e Kosovës.

“Edhe pse kishte disa deklarata se ky lajm ishte i befasishëm dhe i papritur, personalisht konsideroj se ky vendim i KFOR-it është marrë paraprakisht pas shumë analizave dhe vlerësimeve nga ekspertët ushtarakë dhe të sigurisë të KFOR-it dhe NATO-s, si dhe në konsultim dhe punë të vazhdueshme me institucionet e Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas Musliut, një nga mesazhet kryesore të këtij vendimi është se KFOR-i dhe NATO-ja vlerësojnë se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar dhe se Policia e Kosovës ka kapacitetet e nevojshme për të marrë përgjegjësi më të mëdha.

“Rrjedhimisht, KFOR-i dhe NATO-ja kanë konstatuar se paqja dhe siguria në Kosovë dukshëm është përmirësuar, duke vlerësuar se Policia e Kosovës është e aftë, mirë e trajnuar dhe profesionale ta menaxhojë situatën në urën e Ibrit, e cila ka qenë aks i përleshjeve dhe tensioneve ndëretnike”, tha Musliu.

Ai e sheh këtë edhe si një sinjal të rëndësishëm politik për institucionet e Kosovës, sidomos përballë kritikave se qasja e Qeverisë Kurti ndaj veriut dhe çështjeve të sigurisë ka rrezikuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Ky vendim i KFOR-it është një vlerësim dhe besim domethënës për institucionet e Kosovës, që i hedh poshtë akuzat dhe propagandën e opozitës dhe disa mediave se Kurti po e rrezikon paqen dhe stabilitetin dhe po i prish marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar”, deklaroi ai.

Duke folur për rëndësinë e urës mbi lumin Ibër, Musliu thekson se ajo për vite me radhë nuk ishte vetëm një infrastrukturë që lidh dy pjesë të Mitrovicës, por edhe një simbol i ndarjes politike dhe institucionale të Kosovës.

Sipas tij, për të kuptuar rëndësinë e zhvillimit të fundit duhet parë edhe gjeneza e problemit në veri të Kosovës dhe fakti se për një periudhë të gjatë institucionet e Kosovës kishin pasur qasje të kufizuar në këtë pjesë të territorit.

“Që nga paslufta e deri në vitet e fundit, ura mbi lumin Ibër ishte simbol i ndarjes së pjesës veriore të Kosovës, ku institucionet e Kosovës nuk kishin qasje të plotë në ushtrimin e sovranitetit. Në atë pjesë funksiononin struktura paralele serbe dhe për një kohë të gjatë ndikimi i Beogradit ishte shumë i madh”, u shpreh Musliu.

Ai shton se situata në veri ishte shoqëruar për vite me probleme të shumta të sigurisë, krimit të organizuar dhe funksionimit të strukturave paralele, ndërsa përmend edhe sulmin terrorist në Banjskë si një nga dëshmitë më të rënda të kërcënimeve që kanë ardhur nga kjo pjesë e territorit.

Sipas tij, ndryshimi i situatës në veri gjatë viteve të fundit duhet parë edhe në kontekstin e rikthimit të autoritetit institucional të Kosovës në këtë pjesë të vendit.

“Me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, shumë gjëra ndryshuan. Institucionet paralele u mbyllën, strukturat ilegale u goditën dhe u rikthye autoriteti i institucioneve të Republikës së Kosovës. Qeveria Kurti jo vetëm që hapi urën mbi lumin Ibër, por ndërtoi dhe funksionalizoi edhe ura të tjera dhe ka paralajmëruar ndërtimin e urave të reja”, deklaroi Musliu.

Ai vlerëson se kalimi gradual i përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës duhet të shihet mbi të gjitha si zhvillim institucional në interes të shtetit, edhe pse politikisht mund të konsiderohet një arritje e rëndësishme e qeverisë aktuale.

“Ky zhvillim nuk duhet të trajtohet vetëm si sukses i një qeverie apo i një partie politike. Në radhë të parë është një zhvillim institucional në interes të shtetit të Kosovës. Por, natyrisht, politikat e Qeverisë Kurti në veri kanë ndikuar në krijimin e kushteve që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësi më të mëdha”, tha ai.

Në këtë kontekst, Musliu kritikon edhe mënyrën se si opozita dhe një pjesë e mediave e kanë trajtuar njoftimin e KFOR-it, duke vlerësuar se një zhvillim i tillë do të duhej të merrte më shumë vëmendje publike.

“Edhe pse njoftimi i KFOR-it ishte një lajm i mirë për Kosovën dhe do të duhej të ishte kryelajm në media, opozita dhe një pjesë e mediave e heshtën këtë ngjarje. Në vend që të vlerësohet fakti se një institucion ndërkombëtar si KFOR-i po u beson gjithnjë e më shumë institucioneve të Kosovës, debati politik shpesh fokusohet vetëm te përplasjet partiake”, u shpreh ai.

Juristi nga Belgjika konsideron se ky zhvillim i dërgon gjithashtu një mesazh të qartë Beogradit dhe faktorëve politikë që kundërshtojnë forcimin e institucioneve të Kosovës: përgjegjësia për sigurinë në territorin e Kosovës po kalon gjithnjë e më shumë te institucionet e Republikës së Kosovës.

“Mesazhi është i qartë: institucionet e Kosovës po fitojnë besimin dhe përgjegjësitë e tyre në fushën e sigurisë. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për raportin e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Për Beogradin, ky është një tregues se realiteti institucional në Kosovë nuk mund të kthehet prapa”, deklaroi Musliu.

Në fund, Musliu vlerëson se politika kosovare duhet ta trajtojë vendimin e KFOR-it si një zhvillim që tejkalon interesat e ngushta partiake dhe se forcimi i institucioneve të Kosovës duhet të shihet si proces shtetëror.

“Institucionet dhe partitë politike duhet ta shohin këtë zhvillim përtej interesave të ditës. Mund të ketë dallime politike për mënyrën se si qeveriset vendi, por kur një institucion si KFOR-i vlerëson se Policia e Kosovës është e gatshme të marrë përgjegjësi më të mëdha, kjo duhet të jetë në radhë të parë një lajm i mirë për shtetin e Kosovës. Kjo është një dëshmi se institucionet tona po konsolidohen dhe se sovraniteti dhe përgjegjësia shtetërore po forcohen”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

Të Ngjashme