Lajme

“Nuk është vonë…” – Takimi Lladrovci–Konjufca ngre pikëpyetje, analistët zbërthejnë mesazhin politik

Kosova aktualisht gjendet në një situatë të vështirë politike.

Partia Demokratike e Kosovës, në njëfarë mënyre, e ka kushtëzuar Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket zgjedhjes së presidentit me miratimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia e tij kërkon që ligji të miratohet në dy lexime dhe, më pas, është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit.

“Vazhdimisht jam duke e thënë: kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit me dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme që, në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojmë, të gjejmë zgjidhjen për Presidentin edhe t’i japim votat për Presidentin”, ka thënë Hamza.

Në anën tjetër, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën.

Pas takimit, Lladrovci ka thënë se me Konjufcën nuk kanë diskutuar për politikë apo poste, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë për zhvillime të reja.

“E panjohura mund të ishte zgjidhur moti, por nuk është vonë për ata që kanë vullnet për Kosovën”, ka deklaruar Lladrovci.

Shala: Takimi, është mesazh në të mirë të shtetit dhe kombit që duhet ta ndjekin dhe të tjerët

Njohësi i politikës, Ibrahim Shala, në një përgjigje për “Bota sot”, e ka cilësuar takimin mes Ramiz Lladrovcit dhe Glauk Konjufcës si një mesazh për uljen e tensioneve politike dhe rritjen e mirëkuptimit.

Image
Njohësi i politikës, Ibrahim Shala

Sipas tij, takime të tilla mes figurave nga partitë rivale mund të shërbejnë si shembull për të tjerët në funksion të interesit shtetëror. 

“Kur vendi kalon në situata krize dhe ka nevojë për ulje të tensioneve politike, për unitet dhe mirëkuptim, takimi njerëzve të mirë, me autoritet në popull  nga partitë rivale, si takimi i Ramiz Lladrovcit dhe zotit Glauk Konjufca, nuk është i rastësishëm por është veprim, është mesazh në të mirë të shtetit dhe kombit që duhet ta ndjekin dhe të tjerët”, ka thënë ai.

Rexhepi: Dallimet politike nuk duhet të jenë më të mëdha se interesi i Kosovës

Kurse, analisti politik, Agim Rexhepi ka thënë se takimi mes Ramiz Lladrovcit dhe Glauk Konjufcës duhet parë si një mesazh për rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik.

Image
Agim Rexhepi

Sipas tij, fakti që në takim nuk janë diskutuar poste apo interesa politike, por e ardhmja e Kosovës, e vendos interesin shtetëror mbi dallimet politike.

“Takimi i rastësishëm mes Ramiz Lladrovcit dhe Glauk Konjufcës është një moment që duhet parë përtej dimensionit të zakonshëm politik. Vetë fakti që dy figura që vijnë nga hapësira të ndryshme politike u ulën dhe biseduan në mënyrë miqësore për të ardhmen e Kosovës, është një mesazh që dialogu dhe komunikimi nuk duhet të ndërpriten asnjëherë.

Ajo që e bën më domethënës këtë takim është mesazhi i Lladrovcit se nuk kanë biseduar për poste apo interesa politike, por për mënyrën se si Kosova mund të bëhet më mirë. Ky është një formulim që e vendos interesin e shtetit dhe të qytetarëve mbi kalkulimet e momentit.

Në politikë mund të ketë dallime, përplasje dhe qëndrime të ndryshme, por kur bëhet fjalë për interesin e Kosovës, duhet të ekzistojë një pikë ku dallimet politike lihen anash dhe kërkohet ajo që është e përbashkët. Mesazhi i këtij takimi, të paktën nga ajo që është bërë publike, është pikërisht ky: Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim, më shumë komunikim dhe më pak barriera politike.

Edhe shprehja e Lladrovcit se “nuk është vonë” për ata që kanë vullnet për t’u rreshtuar pas Kosovës, mund të lexohet si një thirrje për përgjegjësi dhe për angazhim më të madh rreth interesit shtetëror”, u deklaru ai për “Bota sot”.

Rexhepi ka theksuar se takimi nuk duhet parë si paralajmërim për ndonjë marrëveshje politike, pasi nuk ka të dhëna publike që e dëshmojnë një gjë të tillë.

Sipas tij, mesazhi kryesor është se, pavarësisht dallimeve partiake, duhet të ketë komunikim dhe bashkëpunim për çështjet me interes për Kosovën.

“Prandaj, nuk do ta shihja këtë takim automatikisht si paralajmërim për ndonjë marrëveshje politike apo ndryshim të raporteve partiake. Për momentin, nuk ka të dhëna publike që ta dëshmojnë një gjë të tillë. Më shumë se kaq, sinjali që mund të nxirret nga deklaratat publike është se, pavarësisht përkatësive politike, ekziston hapësirë për komunikim kur tema është Kosova dhe e ardhmja e saj.

Në një shoqëri ku shpesh politika prodhon ndarje, një bisedë përtej vijave partiake është gjithmonë e rëndësishme. Kosova ka nevojë që njerëzit e saj politikë të mund të flasin mes vete, edhe kur nuk pajtohen, sepse zhvillimi i vendit nuk mund të ndërtohet vetëm mbi përplasjet politike, por mbi bashkëpunimin rreth çështjeve që janë në interes të qytetarëve”.

Në fund, mesazhi më i rëndësishëm është i thjeshtë: 

“Dallimet politike nuk duhet të jenë më të mëdha se interesi i Kosovës” – përfundoi ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme