Lajme

​Nxënësit e Gjimnazit “Eqrem Çabej” mësojnë për kursimin e energjisë

Nxënësit e Gjimnazit “Eqrem Çabej” në Prishtinë janë bërë pjesë e aktivitetit , që u zhvillua në kuadër të projektit “Energjia në Duart Tona”, përmes të cilit synohet që të rinjtë të informohen më shumë për rëndësinë e kursimit të energjisë dhe ndikimin që konsumi i panevojshëm ka në familje dhe në mjedis.

Në fokus ishte përdorimi i përgjegjshëm i energjisë elektrike dhe mënyrat se si kursimi i saj mund të bëhet pjesë e përditshmërisë.

Me këtë rast, nxënësit morën informacione për veprime konkrete që mund t’i zbatojnë në jetën e përditshme, ndërsa theksuan se disa prej këtyre këshillave ishin të reja për ta.

Nxënësja e klasës së 12-të, Mimoza Gaçuri, tha për Kosovapress se ligjërata u ka dhënë informacione shtesë për një temë që, sipas saj, lidhet edhe me të ardhmen e tyre dhe përgjegjësinë që do të kenë në familjet e tyre.

Gaçuri: Na u dhanë më shumë informacione për përdorimin e energjisë

“Ligjërata qe shumë e mirë. I kemi pasur disa informacione, po këta na dhanë edhe më shumë informacione. Na mësuan për të ardhmen tonë, të cilën kemi me u bë si bazë e familjes. Na treguan që mos me shpenzuar shumë energji për shkak që do të na bëjë dëm në xhepin tonë edhe në shtetin tonë”, tha Gaçuri.

Ajo shtoi se një nga gjërat që i la më shumë përshtypje ishte rëndësia e përcjelljes së këtyre njohurive edhe tek personat e tjerë.

Gaçuri: Na mësoi që në të ardhmen me qenë pak më të kujdesshëm

“Gjatë ligjëratës më shumë më la përshtypje edhe që mësova qe tema për… për këtë bazën e familjes, për shkak që na mësoi edhe na tregoi që në të ardhmen me qenë pak më të kujdesshëm edhe me përcjellë këtë ligjëratë edhe tek të tjerët. Pra, me i lajmëruar ose me ju treguar më shumë për rreth energjisë elektrike”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, nxënësi i klasës së 12-të, Blend Behluli, tha se kursimi i energjisë nuk ndikon vetëm në shpenzimet familjare, por edhe në mbrojtjen e mjedisit.

Behluli: Kursimi i energjisë ndihmon edhe ne mbrojtjen e mjedisit

“Sot në ligjëratën e sotme mësuam se kur kursejmë energji, nuk ruajmë vetëm para, po i ndihmojmë edhe për mbrojtjen e ajrit, mjedisit dhe të ardhmes sonë për shembull. Sa më pak energji të harxhojmë pa nevojë, aq më shumë kujdesemi për planetin ku jetojmë ne”, tha Behluli.

Për nxënësen e klasës 10/2, Alea Veliu, ligjërata ishte e rëndësishme për rritjen e vetëdijes së të rinjve rreth mënyrës së përdorimit të energjisë.

Veliu: Ligjërata ishte e rëndësishme për vetëdijesimin e të rinjve

“Ligjërata ka qenë shumë e rëndësishme për vetëdijesimin tonë se si me kursyer energjinë elektrike, qysh me i përdorur ato në mënyrë efikase”, tha Veliu.

Ndërsa, Orgesa Gubetini, nxënëse e klasës 11/1 në programin gjerman, tha se edhe veprimet e vogla në përditshmëri mund të ndikojnë në kursimin e energjisë.

Gubetini: Edhe veprimet e vogla ndikojnë në kursimin e energjisë

“Ligjërata për ne nxënësve qe shumë edukative, që na ndihmon që çdo arsyetim i vogël ose çdo punë e vogël e jona që e bëjmë në shtëpinë tonë, çdo veprim, mundet me na ndihmuar në kursimin e energjisë elektrike për shtetin tonë, për popullin, me na ndihmuar në çdo aspekt”, tha Gubetini.

Projekti “Energjia në duart tona” po implementohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Përmes tij synohet rritja e ndërgjegjësimit dhe njohurive praktike të të rinjve dhe përmes tyre edhe të komunitetit më të gjerë për rëndësinë e kursimit, përdorimit efikas dhe menaxhimit të përgjegjshëm të energjisë elektrike.

Në kuadër të projektit, fokus i veçantë u kushtohet nxënësve të klasave të dhjeta, njëmbëdhjeta dhe dymbëdhjeta të gjimnazeve dhe shkollave të mesme. Synimi është që njohuritë e fituara të ndikojnë në krijimin e shprehive të qëndrueshme për përdorimin racional të energjisë.

Të Ngjashme