Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nxënësve dhe mësuesve shqiptarë u ndalohet telefoni gjatë mësimit

Përdorimi i celularëve nga nxënësit e arsimit parauniversitar, vijon të jetë një sfidë e madhe jo vetëm për trupat pedagogjike, por edhe për vetë institucionet arsimore vendore.

Pavarësisht masave të marra në nivel shkollash, drejtorishë arsimore, urdhërash dhe udhëzimesh nga ministria e Arsimit, fenomeni vijon të përhapet me shpejtësi, duke sjellë jo pak anomali përgjatë procesit mësimor.

Për të frenuar këtë femomen ministria e Arsimit dhe ajo e Financave kanë firmosur një udhëzim të përbashkët, i cili synon që nxënësit e arsimit parauniversitar, si dhe mësuesit, ta kenë gjithnjë e më të vështirë përdorimin e celularëve gjatë orëve të mësimit.

Udhëzimi këtë radhë nuk ka si objekt vetëm nxënësit e sistemit parauniversitar, por edhe vetë mësuesit, që do të jenë duke punuar brenda shkollës.

Udhëzimi që mban firmën e ministreve Kushi dhe Ibrahimaj, kërkon qartazi ndalimin e përdorimit të telefonit cellular, si nga nëxnësit ashtu edhe nga trupa pedagogjike.

“Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e urdhrit për mospërdorimin e telefonit celular gjatë procesit mësimor në shkolla dhe për ndalimin e telefonit celular në institucionet arsimore parauniversitare. Masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular gjatë procesit mësimor të pasqyrohen në rregulloren e brendshme të institucionit arsimor parauniversitar.”- thuhet në udhëzim.

Çfarë parashikon ligji?

Në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare është e ndaluar të mbahen telefona celular nga nxënësit dhe mësuesit. Në rast konstatimi të përdorimit të telefonit celular nga nxënësit në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare, drejtoria e institucionit do të sekuestrojë telefonin celular, si dhe do të zbatojë masa disiplinore.

Telefonat e sekuestruar do të depozitohen pranë institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Për masat e marra ndaj nxënësit, njoftohen me shkrim prindit ose kujdestari ligjor i nxënësit.