Aktuale

Operacioni në Atlantik, sekuestrohen 2.6 tonë kokainë me destinacion tregun europian, një shqiptar mes të arrestuarve

Një operacion ndërkombëtar antidrogë në brigjet e Portugalisë ka çuar në sekuestrimin e 2.6 tonëve kokainë, me një vlerë të përllogaritur në tregun e pakicës prej rreth 500 milionë eurosh.

Gjatë aksionit u arrestuan katër persona, mes tyre një shqiptar që jetonte në Itali, dy shtetas spanjollë dhe një person nga Gjibraltari.

Droga u zbulua në një gomone që po lëvizte me shpejtësi në Oqeanin Atlantik.

Operacioni u zhvillua nga autoritetet italiane, spanjolle dhe portugeze, me bashkëpunimin e Guardia di Finanza, ndërsa hetimi u koordinua nga Prokuroria e Brescias në Italinë veriore.

Sipas autoriteteve, vlera e ngarkesës në tregun me shumicë arrinte rreth 78 milionë euro, ndërsa nëse do të shpërndahej në tregun e pakicës, ajo mund të sillte përfitime deri në 500 milionë euro për grupet kriminale.

Operacioni vjen në një kohë kur autoritetet evropiane kanë paralajmëruar për ndryshimin e metodave të trafikantëve të drogës. Sipas Europol, rrjetet kriminale po largohen gjithnjë e më shumë nga portet kryesore evropiane dhe po përdorin rrugë detare më të fragmentuara përgjatë Oqeanit Atlantik për transportin e kokainës./vizionplus.tv

Të Ngjashme