Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani për takimin me Vuçiq: Ishte takim informativ – ai vajtonte, ankohej dhe sigurisht, nuk tregonte të vërtetën

 
   

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka thënë se presidenti serb, Vuçiq ankohej, vajtonte dhe nuk tregonte të vërtetën në takimin me të.

Në një konferencë për media pas samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, Osmani tha se takimi me Vuçiqin ishte një kërkesë nga presidenti Macron dhe kancelari Scholz. Ajo tha se ishte një takim informativ dhe jo negociues.

“Nuk kisha asnjë plan të takohesha me Vuçiqin. Sigurisht, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është i vazhdueshëm në Bruksel…ishte mjaft një insistim që nga mëngjesi nga shumica e liderëve evropian dhe sigurisht, si presidentja e njerëzve të Kosovës dua të tregoj konstruktivitetin që është një virtyt i popullit tonë, të tregojmë vullnetin se mund të flasim me të gjithë…kjo nuk është hera e parë që e gjejmë vetën me Vuçiqin në një takim të tillë. Por më duhet të them se ky takim, i cili ishte një takim mbi insistimin e presidentit Macron dhe kancearit Scholz, kërkesë e tyre të cilën e respektova duke qenë se janë disa nga aleatët tanë më të afërt, nuk ishte një takim negociues por një që shkëmbyem pikëpamjet. Mund të them se Vuçiq shkëmbeu pamjet, ai vajtonte dhe ankohej dhe sigurisht nuk tregonte të vërtetën që është një virtyt i tij duke qenë ministri i propagandës së Vuçiq”, tha ajo.

Osmani bëri të qartë se veriu mbetej një kryetemë në takimet e saj me liderët evropiane. Ajo theksoi është kritike që Serbia të ndalojë mbështetjen e këtyre grupeve kriminale që po shkaktojnë pjesën më të madhe të problemeve në veri, gjë të cilën thotë se kërkoi edhe nga vet Vuçiq në takim.

“Gjithashtu, pata edhe një takim trilateral me presidentin Macron dhe kancelarin Scholz, një takim të cilit iu bashkua edhe Borrell ku diskutuam në detaje sfidat me të cilat po përballemi dhe cilat janë disa nga zgjedhjet që mund të na bëjmë të ecim përpara. Macron dhe Scholz insistuan që të kemi një takim me presidentin Vuçiq, me prezencën e tyre dhe atë të Borrell ku pata mundësinë të insistoj të respektohen korniza ligjore e Kosovës dhe në të njëjtën kohë interest e të  gjithë qytetarëve, pavarësisht nacionalitetit. Çka është kritike në këtë pikë është që Serbia të ndalojë mbështetjen e këtyre grupeve kriminale që po shkaktojnë pjesën më të madhe të problemeve në veri dhe përtej regjionit dhe kjo ëstë një parakusht që të ketë një deeskalim të situates. Dhe së dyti, zbatimi i plotë i marrëveshjes së arritur në Ohër sepse Vuçiq ka thënë vazhdimisht se nuk ka ndërmend ta implementojë…ai e ka shkelur së paku 8 herë dhe për këtë është kritike të kemi një mesazh të qartë nga BE’, ka thënë Osmani.

Osmani tha se e pyeti nëse Vuçiq realisht konsideronte se a ka arritur një marrëveshje  me Kosovën duke i kërkuar të largonte mbështetjen për grupet kriminale në veri të vendit.

Tutje, ajo tha se Kosovës iu kërkuan zgjedhje të reja në veri.

Protestat nisën më 26 maj me mbledhjen e serbëve lokalë para objekteve të komunave, me qëllim pengimin e hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet, në të cilat, u zgjodhën këta kryetarë, u bojkotuan nga shumica e qytetarëve serbë.

Njëherit, më 29 maj, trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan, me ç’rast rreth 30 ushtarë u lënduan.

SHBA-ja ka kërkuar nga Kurti që Qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët e komunave të punojnë nga ndërtesat komunale dhe largimin e forcave të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Hovenier ka ritheksuar se, sipas tij, veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kanë krijuar situatat e fundit në veri.