Lajme

​Pacolli fajëson Muhaxherin për mungesën e planit rregullues në Rugovë, paralajmëron ndërhyrje të ministrisë

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, akuzoi Komunën e Pejës për moshartimin e Planit rregullues për Rugovën, duke thënë se kjo ka lënë qytetarët vite të tëra pa mundësi për pajisje me leje ndërtimi.

Pacolli në një intervistë për KosovaPress tha se Qeveria e Kosovës në vitin 2022 ka miratuar për herë të parë Planin hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, duke i hapur rrugë Komunës që të hartojë Planin rregullues.

Sipas Pacollit, përgjegjësia kryesore për mungesën e Planit rregullues bie mbi Komunën e Pejës.

Pacolli: Komuna e Pejës fare nuk është mërzitur për interesin e qytetarëve të trevës së Rugovës

“Tani kur kemi ardhur ne në Qeveri në vitin 2022, e kemi votuar planin hapësinor për Bjeshkët e Nemuna. Për herë të parë, Plan hapësinor për Bjeshkët e Nemuna. Ne ia kemi hapur derën Komunës së Pejës dhe i kemi thënë se tani mund të fillojë me Planin rregullues, sepse ne e kemi hartuar Planin hapësinor dhe Planin për menaxhimin e parkut… Komuna e Pejës fare nuk është mërzitur për interesin e qytetarëve të trevës së Rugovës dhe asnjëherë nuk e ka iniciuar procesin e hartimit të planit rregullues. Rrjedhimisht, qytetarët kanë mbetur në një situate, ku akoma nuk mund të kërkojnë leje për ndërtim”, tha Pacolli.

Ajo paralajmëroi se nëse komuna nuk ndërmerr veprime, ministria mund ta marrë vetë përsipër hartimin e Planit rregullues.

Pacolli: Ministria do ta marrë përsipër hartimin e planit rregullues për Rugovën

“Nëse komuna nuk e bën planin rregullues, unë kam me marrë përsipër si ministri. Tashmë jam duke punuar, duke parë bazën ligjore që ne ta marrim përsipër”, tha ministrja në detyrë.

Pacolli njoftoi po ashtu se do të nisë rishikimi i Ligjit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, me fokus të veçantë në trevën e Rugovës.

Ministrja në detyrë bëri të ditur edhe një linjë të re buxhetore për vitin 2027, e cila synon mbështetjen e banorëve të Rugovës për transformimin e objekteve tradicionale në struktura ekologjike turistike.

Pacolli: Do të ndajmë linjë të re buxhetore për t’i ndihmuar trevës së Rugovës

“Bashkë me qytetarët do të ulemi edhe ta rishikojmë ligjin. Kërkesa e tyre është për ta rishikuar ligjin dhe unë do ta rishikoj ligjin… Në Kornizën afatmesme buxhetore për vitin 2027, unë e kam shtyrë një linjë të veçantë buxhetore për të ndihmuar qytetarët, sidomos në trevën e Rugovës, që stanet dhe shtëpitë që janë me vite aty, të shndërrohen në shtëpi ekologjike, në mënyrë që ata të zhvillojnë atë zonë dhe të përfitojnë prej saj”, përfundoi Pacolli.

Të Ngjashme