Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka nënshkruar dy vendime që synojnë mbrojtjen e resurseve natyrore në Kosovë, përfshirë tokat ujore dhe hidrocentralet e vogla.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi i parë ndalon transferimin e tokave ujore nga zyrtarët publikë pa respektuar ligjin në fuqi.
“Me këtë vendim ndalohet rreptësisht çdo lloj veprimi i zyrtarëve publikë për transferimin e pronësisë së tokave ujore pa zbatimin e dispozitave përkatëse të Ligjit për Ujërat e Kosovës. Ky vendim vjen pasi që shumë zyrtarë publikë komunalë nga komuna të ndryshme kanë transferuar pronësinë e tokave ujore, ndërsa disa janë në procedura të transferimit të pronësisë së pronave të tjera ujore, në kundërshtim të plotë me legjislacionin specifik të ujërave”, thuhet në njoftim.
Vendimi i dytë ka të bëjë me nisjen e procedurës për ndërprerjen e lejeve ujore për hidrocentralet e vogla, pas inspektimeve në terren.
“Ky vendim vjen pas inspektimit të të gjitha hidrocentraleve, ku është konstatuar se një pjesë e madhe e tyre nuk kanë plotësuar kriteret e nevojshme teknike për operim”, theksohet në njoftim.
Sipas ministrisë, operatorët do të kenë një afat tranzitor prej gjashtë muajsh për të përmbushur kushtet teknike dhe ligjore.
“Zbatimi i këtij vendimi obligon operatorët që, në një afat tranzitor prej 6 muajsh, të marrin masat e duhura për të përmbushur kushtet teknike dhe ligjore”, thuhet më tej.
Në fund të njoftimit theksohet se këto vendime janë marrë me qëllim të mbrojtjes së resurseve natyrore të vendit.
