Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka zhvilluar një takim bilateral me Ministrin e Mjedisit të Bangladeshit dhe Ministren e Shtetit për Politikë të Jashtme, në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31).
Përmes një postimi, Pacolli ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bangladeshit, me fokus në menaxhimin e ujërave dhe mbeturinave, riciklimin e tekstilit, përballimin e ndryshimeve klimatike dhe shkëmbimin e ekspertizës teknike.
Sipas saj, palët janë pajtuar për përgatitjen dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje bilaterale në fushën e mjedisit.
Po ashtu, ministrja ka bërë të ditur se, pas ftesës së Ministres së Shtetit për Politikë të Jashtme të Bangladeshit, do të realizojë një vizitë bilaterale në këtë shtet, ku pritet të nënshkruhet marrëveshja dhe të konkretizohen fushat e bashkëpunimit.
Pacolli ka theksuar se ky bashkëpunim synon të krijojë mundësi për shkëmbim përvojash dhe ekspertize në çështjet mjedisore me interes për të dyja vendet.
