Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 27-vjeçarit me inicialet N.B., i dyshuar për posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Rasti ka ndodhur më 19 gusht 2026, rreth orës 23:30, në Brezovicë të Shtërpcës. Policia ishte njoftuar nga qytetarët se në një vilë të pabanuar ishte gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë vërejtur një person duke ikur në drejtim të malit. Pas ndjekjes, ata kanë ndaluar të pandehurin N.B., i cili ishte duke lëvizur me një skuter të tipit “NAS”.
Gjatë kontrollit, sipas gjykatës, atij i është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe dy peshore digjitale. Më pas është kontrolluar edhe një vilë e një familjari të tij, ku është gjetur një sasi tjetër e marihuanës.
Në total, nga i pandehuri dhe vendi i ngjarjes janë sekuestruar 1.063 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, të ndarë në disa qese.
Po ashtu, janë sekuestruar një çantë e zezë, dy peshore digjitale dhe një thikë metalike, për të cilat ekziston dyshimi se kanë qenë të destinuara për përgatitjen dhe ndarjen e substancës narkotike me qëllim të shitjes.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Ilir Bytyqi, pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorit dhe shkresave të lëndës, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale dhe ka caktuar ndaj N.B. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e tij.
