Pas 27 vjetësh pritjeje dhe pasigurie, familja Beqiri i dha sot lamtumirën e fundit Adem (Muhamet) Beqirit, viktimë e zhdukjes me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Sipas kërkesës së familjes, në fshatin Pantinë të Vushtrrisë u zhvillua ceremonia e rivarrimit të mbetjeve mortore të Adem Beqirit, i cili u zhduk më 19 prill 1999 nga forcat serbe, së bashku me 22 persona të tjerë, gjatë rrugëtimit drejt Malit të Zi.
Beqiri ishte pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, në mesin e të cilëve kishte mjekë, profesorë, arsimtarë dhe veprimtarë. Zhdukja e tyre la pas dhimbje dhe pasiguri për familjet, të cilat për dekada pritën për të mësuar fatin e të dashurve të tyre.
Mbetjet mortore të Adem Beqirit u gjetën në një varrezë masive në zonën e Zubin Potokut dhe u identifikuan përmes analizave të ADN-së. Në të njëjtin proces u identifikuan edhe mbetjet mortore të bashkudhëtarëve të tij, Idriz Rrecajt dhe Sali Mëziut.
Në Mitrovicë u mbajt gjithashtu një mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së Adem Beqirit. Familjarë, miq, bashkëveprimtarë dhe përfaqësues institucionalë kujtuan kontributin e tij dhe ndanë dhimbjen me familjen.
Në këtë ditë përkujtimi, u shprehën mirënjohje për familjet e viktimave të zhdukjes me dhunë dhe shoqatat familjare, si dhe për institucionet dhe profesionistët që kontribuuan në gjetjen, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore të Adem Beqirit.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur theksoi përkushtimin për vazhdimin e punës, në bashkërendim me institucionet e tjera përgjegjëse, për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave ende të pagjetur dhe për dokumentimin e plotë të së vërtetës për personat e zhdukur gjatë luftës.
Për familjen Beqiri, rivarrimi i Adem Beqirit shënon fundin e një pritjeje 27-vjeçare, por njëkohësisht mbetet një kujtesë e dhimbshme për mijëra familje që ende presin përgjigje për fatin e të dashurve të tyre.
