Deklarata e Ivica Daçiqit se flamuri serb do të valojë një ditë mbi Prizren ka nxitur reagime dhe ka vënë sërish në pikëpyetje qëllimet politike të Beogradit ndaj Kosovës. Përmendja e Prizrenit në një deklaratë të tillë shihet si një mesazh me ngarkesë nacionaliste, që prek drejtpërdrejt sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Mirëpo, çfarë mesazhi synon të përcjellë Daçiqi me këtë deklaratë dhe çfarë tregon ajo për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës?
Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se deklarata e Daçiqit përbën një mesazh provokues, që synon të cenojë sovranitetin e Kosovës. Sipas tij, retorika me pretendime territoriale vazhdon të jetë e pranishme në politikën hegjemoniste serbe, prandaj paralajmërimet e tilla duhet të merren seriozisht.
“Këtë deklaratë e konsideroj si një mesazh provokues që ka për qëllim të cenojë sovranitetin e Kosovës. Mendoj se kjo dëshmon se në politikën hegjemoniste serbe vazhdon të jetë e pranishme retorika me pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Secilin paralajmërim duhet ta marrim seriozisht, sepse historia na ka mësuar se nacionalizmi dhe pretendimet territoriale mund ta rrezikojnë paqen. Edhe më parë kemi pasur deklarata të tilla, mirëpo pas kësaj të fundit mendoj dhe besoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë me kohë për të parandaluar çdo përshkallëzim të situatës së sigurisë”, shprehet Berisha.

Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha
Më tej, eksperti i sigurisë thekson se mungesa e reagimeve të qarta dhe e pasojave konkrete ndaj deklaratave të tilla mund ta inkurajojë Beogradin të vazhdojë me retorikë kërcënuese ndaj Kosovës.
Ai kërkon që Bashkimi Evropian të zbatojë standarde të barabarta ndaj të gjitha palëve dhe të mos lejojë që pretendimet që cenojnë sigurinë dhe sovranitetin e një shteti të mbeten pa përgjegjësi.
“Në rastin konkret, mungesa e reagimeve të qarta dhe e pasojave konkrete mund ta inkurajojë Beogradin të vazhdojë me retorikë kërcënuese, për çka tashmë jemi dëshmitarë. Për këtë arsye, kërkohet që BE-ja të zbatojë standarde të barabarta ndaj të gjitha palëve kur tentojnë të cenojnë sigurinë e një vendi tjetër”, deklaron ai.
Berisha e konsideron të domosdoshme që Bashkimi Evropian të kalojë nga reagimet politike në masa konkrete, duke e kushtëzuar ndihmën financiare për Serbinë me sjelljen e saj dhe respektimin e sovranitetit të Kosovës.
Sipas tij, shtetet evropiane duhet të mbështesin pezullimin e fondeve për Serbinë dhe të kërkojnë llogaridhënie nga Beogradi për retorikën dhe veprimet që mund të cenojnë stabilitetin rajonal.
“Personalisht mendoj se ka ardhur koha që BE-ja të ndërmarrë masa konkrete dhe ta kushtëzojë ndihmën financiare me sjelljen e Serbisë. Në rastin konkret, shtetet do të duhej të mbështesnin pezullimin e fondeve për Serbinë. Njëherësh, do të duhej t’i kërkonin llogaridhënie dhe respektim të sovranitetit të Kosovës”, thekson Berisha.
“Kosova sot ka kapacitete më të mëdha për të mbrojtur sovranitetin”
Duke folur për situatën e sigurisë dhe kapacitetet mbrojtëse të Kosovës, eksperti vlerëson se Serbia duhet ta kuptojë se realiteti i sotëm është ndryshe nga ai i viteve 1998-1999. Sipas tij, institucionet e sigurisë së Kosovës janë zhvilluar dhe kanë ndërtuar bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke rritur mundësitë e vendit për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial.
“Serbia duhet ta ketë të qartë se tani Kosova ka një arkitekturë shumë më të fortë të sigurisë sesa në vitin 1998/1999. Tani institucionet e sigurisë janë të zhvilluara dhe kanë bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Prandaj, çdo pretendim apo kërcënim ndaj Kosovës duhet të vlerësohet duke pasur parasysh realitetin e sotëm.
Kosova nuk është më në gjendjen që ishte gjatë luftës, para gati tri dekadash. Tani ka kapacitete më të mëdha për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, shprehet ai.
Në fund, Berisha potencon se, pavarësisht rritjes së kapaciteteve të sigurisë, ruajtja e paqes dhe e stabilitetit duhet të mbetet prioritet për Kosovën. Ai thekson rëndësinë e diplomacisë dhe bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm.
“Megjithatë, unë vlerësoj se paqja, diplomacia dhe bashkëpunimi me aleatët mbeten prioritet për sigurinë e vendit”, përfundon Berisha për “Bota sot”.
