Lajme

Pas zgjedhjes së presidentes, Mustafa flet për një tjetër përballje

Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës.

Mustafa tha se marrëveshja e arritur dëshmon se kundërshtari politik nuk është armik dhe se Kosova duhet të bashkohet rreth interesave të shtetit.

Ai theksoi se uniteti është i nevojshëm edhe për përballjet që e presin vendin, përfshirë çështjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të vërtetën dhe trashëgiminë e luftës.

“Mund të dallojmë për shumëçka, por për interesat themelore të shtetit duhet të dimë të bëhemi bashkë. Mbi partitë, Kosova”, shkroi Mustafa.

Postimi i plotë:

Kosova di të pajtohet.

Historia na kujton se, kur jemi bashkuar rreth interesit të vendit, kemi qenë më të fortë.

Kompromisi na ndihmoi të ndërtonim institucionet më 2002. Rivalët politikë qeverisën së bashku në momentin historik të Pavarësisë më 2008. Pas bllokadës së vitit 2014, marrëveshja politike i hapi rrugë një periudhe në të cilën Kosova nënshkroi MSA-në me Bashkimin Evropian.

Edhe marrëveshja e mbrëmshme na rikujton se kundërshtari politik nuk është armik.

Dhe ky unitet na duhet edhe për përballjen që na pret: për çlirimtarët tanë, për të vërtetën dhe trashëgiminë e luftës sonë çlirimtare, gjithmonë duke respektuar drejtësinë dhe institucionet.

Mund të dallojmë për shumëçka, por për interesat themelore të shtetit duhet të dimë të bëhemi bashkë.

Sepse një Kosovë e bashkuar është më e fortë përballë çdo sfide.

Mbi partitë, Kosova.

Të Ngjashme