Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se partia nuk duhet ta përjashtojë mundësinë e një marrëveshjeje politike me Lëvizjen Vetëvendosje.
Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kishte deklaruar se PDK-ja do të mbetet në opozitë, duke lënë të kuptohet se nuk synon të hyjë në koalicion me LVV-në.
Kryetari i Drenasit dhe anëtari i PDK-së, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar për “Bota sot” se politika duhet ta ketë në qendër interesin e Kosovës.
Ai u bëri thirrje të gjithë liderëve politikë që ta vendosin shtetin mbi interesat partiake, duke theksuar se “Kosova është më e vlefshme se çdo skemë e çdo koalicion”.
“Politika në thelbin e saj, duhet ta ketë prioritet interesin nacional, uroj që çdo parti e ka këtë prioritet, Kosovën. Deri kur do të presim që liderët ta kenë të qartë këtë, mjaftë është mjaftë, Kosova është më e vlefshme se çdo skemë e çdo koalicion. Nga lideri im dhe nga të gjithë liderët kërkoj të përgjigjen në pyetjen: A jemi për Kosovën, nëse po, kollaj të merremi vesh”, deklaroi ai.
Lladrovci kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, është bërë politikë ndër vite, duke thënë se shpesh egoja është vendosur mbi interesin shtetëror.
Ai paralajmëroi se Kosova mbetet një shtet në proces dhe se zvarritja e çështjeve të rëndësishme i kushton vendit, duke shtuar se “historia nuk fal”.
“Në historinë e partive tona politike, jo çdo herë e kam konsideruar se janë në lartësinë e detyrës, për më keq, egon e kanë vendosur mbi gjithçka, me hakmarrje dhe ndërskëmsat politikë kanë punuar me ide abstrakte, larg nevojave të qytetarëve dhe interesave të shtetit. Ne jemi shtet në proces, kemi çështje të pambyllura dhe ngecja kushton, historia nuk falë” – përmbylli ai.
