Lajme

Pedagogët rikthehen në protestë, sindikata vendos bojkotin e mësimit në të gjitha universitetet

Pedagogët kanë dalë sërish këtë të mërkurë në protestë në mbështetje të studentëve dhe nxënësve, të cilët prej nëntë ditësh vijojnë tubimet për plotësimin e kërkesave të tyre dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), Sandër Kovaçi, ka bërë të ditur se sindikata ka vendosur bojkotimin e mësimdhënies në të gjitha universitetet e vendit, në shenjë solidariteti me protestuesit dhe në mbrojtje të së drejtës për protestë paqësore.

Ashtu siç kishin paralajmëruar, pedagogët janë mbledhur sërish përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, ku kanë shprehur mbështetjen për studentët dhe nxënësit që vijojnë protestën prej nëntë ditësh.

Përfaqësuesit e sindikatës kanë deklaruar se vendimi për bojkotimin e mësimit vjen si reagim ndaj situatës së krijuar dhe pretendimeve për dhunë ndaj studentëve e protestuesve.

Gjatë prononcimit për mediat, kreu i SPUSH-it, Sandër Kovaçi, bëri të ditur se vendimi për bojkotin ishte marrë nga kryesia e sindikatës në mbledhjen e zhvilluar më 20 tetor, në sheshin ku po protestojnë studentët. Sipas tij, bojkoti ka nisur këtë të mërkurë dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë./rtsh.al/

Të Ngjashme