Lajme

Përleshja e armatosur mes dajës dhe nipit, Prokuroria jep detajet

Prokuroria ka konfirmuar se të përfshirët në plagosjen që ndodhi sot në Podujevë janë daja me nipin, si dhe një familjar i tyre.

Kjo ngjarje e rëndë, po hetohet nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, si “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Të dhënat fillestare të hetimit tregojnë se në rast janë të përfshirë persona me lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi dyshohet të jetë një mosmarrëveshje e mëhershme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Njoftimi i plotë

Prishtinë, 02 korrik 2026- Prokuroria Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda njofton opinionin publik se sot, rreth orës 13:40, në sheshin ‘’Bulevardi i Dëshmorëve’’ në Komunën e Podujevës, ka ndodhur një përleshje e armatosur ndërmjet tre (3) personave. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, lëndime trupore kanë pësuar tre (3) persona të përfshirë në ngjarje, si dhe një kalimtar i rastit.

Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake.

Menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe në bashkëpunim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.

Me këto veprime të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Vrasja e rëndë në tentativë’’, nga neni 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Personat e lënduar me armë zjarri, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

Të Ngjashme