21.08.2026 – 16:42
Gara: Gërmimet përfunduan zyrtarisht, 23 persona të gjetur në Kalludër dhe Jabukë

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara tha se gërmimet në lokacionet e dyshuara për varrezat masive kanë përfunduar.
Gara tha se pas katër javësh punë procesi i zhvarrosjes së pjesëve kockore ka përfunduar.
“Saktë janë diku rreth 4 javë pune në kuptimin e angazhimit, pra nga fundi i muajit deri më sot dhe realisht i bie që mund të konfirmohet që hapësira tanimë është shënuar, pra në kuadër të lokacioneve të konfirmuara të varreve masive. Mund të konfirmohet si proces i përfunduar në kuptimin e vlerësimit të lokacioneve dhe procesit të zhvarrosjes të gjitha mbetjeve mortore të cilat pastaj në vazhdimësi janë dërguar në IML për ekzaminimin e mëtutjeshëm ligjor përfshirë edhe analizat e ADN-së”, tha Gara.
I pyetur rreth kohës se kur do të njoftohen familjarët e viktimave, ai tha se procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së është proces që merr më shumë kohë, por shtoi se sapo të pranohet rezultati i analizave do të njoftohen edhe familjarët.
“Çdo gjë që do jetë në kompetencë të institucioneve të Kosovës sigurisht do të vlerësohet me shumë prioritet dhe profesionalizëm. Procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së mund të marrë pak më shumë kohë. Në momentin që do të pranojmë raportin e ADN-së do të ndjekim hapat e nevojshme dhe pashmangshëm një nga hapat e menjëhershëm do jetë njoftimi i familjeve. Kjo pjesë do të marrë pak më shumë kohë”, tha ai.
21.08.2026 – 16:42
Përmbyllet procesi i gërmimeve në Zubin Potok, konfirmohen mbetje mortore të 23 personave

Ka përfunduar procesi katërjavor i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore në tri lokacione të konfirmuara si varre masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në lokacionin e tretë të varrit masiv është konfirmuar prania e mbetjeve mortore të gjashtë individëve. Me këto gjetje, në tri lokacionet e shqyrtuara janë konfirmuar mbetje mortore të gjithsej 23 personave, të cilët dyshohet se janë viktima të zhdukjes me forcë.
Gjatë katër javëve të punës në terren janë zhvilluar gërmime vlerësuese, zhvarrosje të mbetjeve mortore, dokumentim mjekoligjor dhe vlerësim i plotë i hapësirave me interes.
Në këtë proces kanë marrë pjesë ekipet e Institutit për Mjekësi Ligjore, Sektorit të Policisë për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe njësi të tjera përkatëse të Policisë dhe sigurisë.
Procesi është zhvilluar me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Qeverisë së Kosovës, në zbatim të urdhrit të gjykatës kompetente, pas kërkesës së prokurores së rastit në Departamentin për Krime Lufte të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në proces kanë kontribuar edhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it në kuadër të Institutit për Mjekësi Ligjore.
Pas përfundimit të punës në terren, procedurat do të vazhdojnë me ekzaminimet mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së. Qëllimi është konfirmimi i identitetit të viktimave dhe më pas ndërmarrja e hapave të mëtejmë, përfshirë informimin zyrtar të familjeve.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka shprehur mirënjohje për të gjitha ekipet dhe institucionet e angazhuara në proces, si dhe për familjet e personave të zhdukur dhe Shoqatën e Familjeve “Zëri i Prindërve” për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe.
