Lajme

Përparim Rama kërkon llogari: Kush e ndaloi vendosjen e muralit të Nënë Terezës në Prishtinë?

Kryetari i Prishtinës kërkon llogari nga Policia e Kosovës, pasi vendosja e muralit u pengua pavarësisht se Komuna kishte dhënë leje për shfrytëzimin e hapësirës publike. Ai pretendon se policia kishte deklaruar se urdhri kishte ardhur “nga lart”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pasi vendosja e muralit të Nënë Terezës në kryeqytet është penguar të premten në mbrëmje.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka ngritur dyshime për ndërhyrje politike në këtë çështje, duke theksuar se Komuna e Prishtinës kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit në hapësirën publike.

Ai ka bërë të ditur se, sipas policisë, urdhri për pengimin e vendosjes së muralit kishte ardhur “nga lart”, duke kërkuar që ky pretendim të sqarohet publikisht nga Policia e Kosovës.

“SKANDALOZE! Kujt i përgjigjet shteti ynë? Urdhrave politikë?! Sonte u pengua vendosja e muralit të Nënës Terezë në Prishtinë. Komuna e Prishtinës, që lëshon lejet për hapësirat publike në kryeqytet, e kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit”, ka shkruar Rama.

Ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të identifikojë personin që ka dhënë urdhrin për ndërhyrje dhe të bëjë publik vendimin mbi bazën e të cilit është vepruar.

“Kush është ‘lart’ në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje?”, ka pyetur Rama.

Kryetari i Prishtinës ka kërkuar llogaridhënie nga Policia e Kosovës, duke ngritur disa pyetje lidhur me bazën ligjore dhe përgjegjësinë për pengimin e vendosjes së muralit.

“Me çfarë vendimi u ndalua vendosja? Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen dhe kush e urdhëroi? Kush bëri presion politik mbi Policinë?”, ka përfunduar Rama.

Deri më tani, në postimin e tij nuk është bërë e ditur se cili institucion apo person ka kërkuar ndërprerjen e punimeve. Po ashtu, mbetet të sqarohet nga Policia e Kosovës se mbi çfarë baze është ndërmarrë ky veprim.

Të Ngjashme