Të premten, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në cilësinë e të pandehurit, lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.
Ai dyshohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Intervistimin e kryetarit të kryeqytetit e ka komentuar edhe shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla.
Në një prononcim për “Bota sot”, Sveçla ka thënë se e mirëpresin këtë veprim të Prokurorisë Speciale, duke theksuar se llogaridhënia dhe përgjegjësia ligjore duhet të vlejnë për të gjithë, pa përjashtim.
“E mirëpresim intervistimin e kryetarit të Prishtinës, z.Përparim Rama, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Llogaridhënia dhe përgjegjësia ligjore janë elemente bazë në një shoqëri demokrarike ku sundimi i ligjit duhet të jetë parim bazë. Për të gjithë, ndaj secilit, pa përjashtim”, deklaruar ai.
Duke folur për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”, Sveçla ka rikujtuar kundërshtimin e Vetëvendosjes ndaj tij që nga prezantimi.
“Prej ditës kur është prezentuar si projekt, “Arkitekti i Kryeqytetit”, ne kemi qenë kundër tij për shkak se ka qenë evidente që bëhet fjalë për potencial të madh për korrupsion e abuzim me buxhetin e qytetarëve të Prishtinës.
E kemi kundërshtuar në Kuvend Komunal, kemi sinjalizuar në media, e kemi bërë kallëzime penale te institucionet kompetente”, ka theksuar Sveçla.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën e qeverisjes së Përparim Ramës, duke përmendur edhe shkeljet ligjore, mungesën e transparencës, nepotizmin dhe klientelizmin.
“Për shkak të formës së qeverisjes së zotit Rama dhe subjeketeve që e mbështesin, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme ligjore, mungesës së transparancës, nepotizmit e klientelizmit të shpërfaqur, per ne, trajtimi i qeverisjes lokale nga Prokuroria Speciale ka qenë epilog i pritur dhe i pashmangshëm.
Ne jemi të bindur se “Arkitekti i Kryeqytetit” është vetëm një nga rastet për të cilat Përparim Rama do të përgjigjet penalisht. Skandali i Legalizimeve, kontrata për ndriçimin Smart, e shumë raste të tjera, nuk ia lëshojnë fare rrugën “Arkitetkit të Kryeqytetit” për nga abuzimi i bërë me buxhetin publik.
“Nëse drejtësia është e drejtë dhe nëse me të vërtetë synohet zbardhja e keqpërdorimeve që kanë ndodhur në komunën e Prishtinës gjatë pesë viteve të fundit, atëherë se padyshim që ky do të jetë fundi politik i Përparim Ramës, por jo vetëm i tij”, ka përfunduar Sveçla.
