Mospajtimi i pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të njohur pavarësinë e Kosovës vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme dhe ende të pazgjidhura në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit.
Ky qëndrim i këtyre shteteve ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në raportet e Kosovës me institucionet evropiane dhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, së fundmi janë vërejtur sinjale që po cilësohen si pozitive nga zyrtarët evropianë.
Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, i ka përshkruar si “inkurajuese” zhvillimet që lidhen me qëndrimet e pesë shteteve mosnjohëse ndaj Kosovës.
Ajo tha shkurt se po i ndjek nga afër këto lëvizje dhe se “zhvillimi është inkurajues”, duke mos dhënë më shumë detaje mbi natyrën e ndryshimeve apo mbi mundësinë e një afrim të pozicioneve mes palëve në të ardhmen.
“Sa i përket pesë shteteve mosnjohëse, unë ndjek çfarë po ndodh dhe zhvillimi është inkurajues”, tha Kos, duke mos dhënë detaje të tjera.
Deklarata e saj vjen në një periudhë kur dialogu dhe përpjekjet diplomatike për avancimin e proceseve evropiane të Kosovës janë intensifikuar, ndërsa çështja e njohjeve mbetet një nga faktorët kyç që ndikon në ritmin e integrimit të vendit në BE.
Lama: Ende s’kemi ndonjë sinjal se kërkesa do të shqyrtohet
Ish-diplomatja Alma Lama për “Bota sot”, u shpreh skeptike sa i përket deklaratës së Marta Kos.

Alma Lama
Sipas saj, deklarata është e paqartë dhe se, në mungesë të një sinjali konkret që pesë vendet mosnjohëse nuk do ta bllokojnë procesin, nuk ka ende tregues se kërkesa e Kosovës për anëtarësim do të shqyrtohet.
“Kjo deklaratë është tepër e paqartë.
Nëse ka ndonjë indikacion që pesë vendet mosnjohëse nuk do të jenë pengesë për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim, atëherë mund të ketë kuptim. Ende s’kemi ndonjë sinjal se kërkesa do të shqyrtohet”, tha ajo.
Maloku: Deklarata e Kos, reagim spontan sesa të një qëndrimi të bazuar në zhvillime reale dhe të qëndrueshme
Kurse, njohësi i politikës në Kosovë, Albinot Maloku ka vlerësuar se nuk ka ndonjë zhvillim konkret që do të dëshmonte angazhim shtesë të Komisionares së BE-së për Zgjerim, Marta Kos, në raport me Kosovën.

Albinot Maloku
Sipas tij, deklarata për “zhvillime inkurajuese” lidhur me pesë shtetet mosnjohëse duket më shumë si një reagim i çastit sesa një qëndrim i bazuar në hapa të prekshëm dhe të qëndrueshëm.
“Në raport me Kosovën, deri më tani nuk evidentohet ndonjë zhvillim i veçantë që mund të konsiderohet si angazhim shtesë konkret në funksion të avancimit të rrugëtimit të saj euro-integrues, nga ana e Komisionarës për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos. Sa i përket deklaratës së saj për “zhvillime inkurajuese” lidhur me pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, kjo më lë më shumë përshtypjen e një reagimi spontan sesa të një qëndrimi të bazuar në zhvillime reale dhe të qëndrueshme.
Gjithsesi, kjo bëhet edhe më e ndjeshme duke pasur parasysh peshën që ka një deklaratë e tillë kur vjen nga një komisionere e BE-së dhe ndikimin që mund të ketë në perceptimin e proceseve që lidhen me Kosovën. Në mungesë të indikacioneve konkrete dhe të një angazhimi të qartë, qoftë në nivel personal apo në kuadër të detyrës zyrtare, deklarata e saj mbetet e pambështetur në hapa të prekshëm që do të kontribuonin realisht në përmirësimin e pozitës së Kosovës në raport me pesë vendet mosnjohëse” – deklaroi ai për “Bota sot”.
