Aktori Çun Lajçi ka reaguar përmes një shkrimi lidhur me protestat e studentëve në Shqipëri, duke kritikuar pushtetin dhe mungesën e llogaridhënies.
Lajçi rikujton ngjarjet e vitit 1991 dhe ato të vitit 1997, duke theksuar se dhuna dhe përplasjet politike kanë pasoja të rënda për qytetarët. Ai u bën thirrje institucioneve që ta dëgjojnë zërin e studentëve para se situata të përshkallëzohet.
Aktori thekson se nuk dëshiron të keqen e as Edi Ramës dhe as Sali Berishës, por nënvizon se Shqipëria duhet të jetë mbi interesat e politikanëve.
Në fund, Lajçi shpreh shqetësimin se, pa reflektim dhe marrje përgjegjësie, vendi rrezikon të përsërisë historinë e dhimbshme të përplasjeve politike.
Shkrimi i plotë:
Çfarë populli jemi ne, ore?
Po shkruej me zemër të plasun, pa ma pasë borxh i riu, as i vjetri. Unë s’jam i hollë sa ata që dalin në televizione e na kallxojnë se si bahet Shqipnia e mirë. Se boll u mundue Fishta, Pllumi, Konica … e prapë s’e gjetën përgjigjen përfundimtare: kush jemi ne dhe çka duem ne?
Nëse ndokush prej jush e di, ma thoni edhe mue, që ta mësoj para se të vdes!
Foli Mjeda, foli Shiroka, folën jezuitët para tyne e thanë shumëçka. Ne s’deshtëm me i kuptue. E unë s’po them ma shumë se kaq: për disa prej nesh, pija ma e fortë për trutë asht pushteti.
Aman, mos e lini pushtetin gjatë në duart e askujt pa llogaridhanie, se njeriu që mësohet me të, shpesh s’don me dalë ma prej zyrës. Asht si lopa që futet në tërfojë e s’di me u ndalë pa i plasë barku.
Shqiptari e pushteti, kur nuk ka kufij e përgjegjësi, bahen si krypa e uji: shkrihen njani në tjetrin e, në fund, s’dihet kush e ka humbë shijen e kush e ka humbë formën.
Kemi këndue n’telat e çiftelisë, për beglerë, pashallarë, agallarë e krajla. E kangën e kemi mbyllë me nji refren që tingëllon si mallkim:
— Ohooo… kështu Shqipnia e ka adet: nga nji pashë me pre përvjet!
E kemi këndue, pra. E pse çuditemi sot me protestat e studentëve? Pse befasohemi kur shohim nji Kryeministër që tallet me popullin prej zyrës së blindueme, i ngujuem si Maxharr Pasha në sarajet e Abdullah Drenit?
Por kujt i duhet flaka në zemrën e Shqipnisë?
Pse duhet me u djegë Tirana, kur, dorën në zemër, mue më dukej si nji prej metropoleve ma të bukura?
Por më thoni ju që ende keni mbamendje: çka ishin demonstratat e vitit 1991?
A nuk ishin aty edhe Saliu, edhe Edi, edhe polici, edhe shkopi, edhe plumbi i gomës?
Po çka ishin ngjarjet e vitit 1997?
A nuk ishte Edi para Kryeministrisë, tue i fry zjarrit politik, ndërsa digjeshin vetura e molotovët përplaseshin për muret e ndërtesës? A nuk u derdh edhe gjak shqiptar në ato ditë, gjak që s’duhej të ishte derdhë kurrë?
Po a nuk ishte në Kryeministri edhe Saliu, që sot del e i fryn zjarrit politik, tue e ba mizën buall për gazin lotsjellës që policia ua hodhi disa demonstruesve të mbledhun te selia e PD-së?
Nuk po i përmend këto për me ia la fajet njanit me fajet e tjetrit. Përkundrazi. Po i kujtoj sepse asnjani pushtet nuk duhet me pasë të drejtë me e harrue përgjegjësinë e vet, e asnji parti nuk duhet me e përdorë dhimbjen e popullit si armë kundër kundërshtarit.
Prandaj po ju pyes juve, që i mbani mend ato ngjarje, e që e dini sa shtrenjtë paguhet dhuna: pse befasoheni sot nga zemërimi i të rinjve?
Pse nuk përpiqemi me kuptue çka po na thonë studentët, para se t’i gjykojmë për mënyrën si po protestojnë?
E pse pushteti nuk e dëgjon zërin e tyne para se rruga të mbushet me tym e frikë?
Unë s’ia due të keqen Edit. As Saliut. Asnjë njeriu. Por Shqipninë e due ma shumë se cilindo prej tyne, e për këtë arsye s’mund të hesht kur shoh se si politika po e shtyn popullin drejt përplasjes.
Fort po druaj, se nëse askush nuk ndalet me mendue e me marrë përgjegjësi, mund të kthehemi te ajo kangë e vjetër, që e kemi këndue aq gjatë sa rrezikojmë me e marrë për fat:
— Kështu Shqipnia e paska adet: nga nji pashë me vra përvjet!
E unë nuk due që kjo kangë të bahet ma historia jonë. Dua që, ma në fund, ta ndërpresim.
