Aktuale

Plani i Qeverisë/ Makinat e vjetra gati të dalin nga tregu brenda tre viteve

Qeveria shqiptare ka miratuar një strategji për heqjen graduale nga përdorimi të automjeteve të vjetra gjatë periudhës 2027–2030, si pjesë e përafrimit të sektorit të transportit me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian.

Dokumenti synon eliminimin e mjeteve me nivele të larta ndotjeje, veçanërisht të kategorive më të hershme si Euro 3 dhe Euro 4 që u përkasin kryesisht prodhimeve të viteve 2000. Megjithatë, aktet e mëtejshme rregullatore pritet të përcaktojnë nëse kufizimet do të zbatohen vetëm për importet e reja apo edhe për mjetet që ndodhen aktualisht në qarkullim.

Plani i hartuar përfshin angazhimin e disa dikastereve kryesore, ku Ministria e Infrastrukturës, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Ministria e Mjedisit do të përshtatin rregullat e homologimit dhe kontrollit të emetimeve.

Paralelisht me automjetet private, strategjia parashikon edhe një program të posaçëm me kosto prej 200 mijë eurosh për rinovimin e flotës së autobusëve ndërqytetës gjatë viteve 2028–2030, të cilët do të duhet të përmbushin standarde më të larta sigurie, përfshirë instalimin e sistemeve ABS, ESC, kamerave CCTV dhe pajisjeve telematike.

Kjo iniciativë bën pjesë në objektivin më të gjerë për dekarbonizimin e transportit rrugor në Shqipëri, i cili do të shoqërohet edhe me nxitjen e përdorimit të mjeteve elektrike e hibride si dhe zgjerimin e rrjetit të infrastrukturës së karikimit në të gjithë vendin.

Të Ngjashme