Lajme

​Policia apel qytetarëve: Krimet e luftës t’i raportoni vetëm në këtë drejtor

Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës është organi i vetëm kompetent brenda Policisë së Kosovës për pranimin, verifikimin, hetimin dhe procedimin e të gjitha informacioneve dhe rasteve penale që lidhen me krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998–1999), në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas një komunikate të Policisë, kjo drejtori trajton të gjitha informacionet relevante, pavarësisht burimit të tyre, përfshirë ato të siguruara nga qytetarët, institucionet, organizatat, partnerët vendorë e ndërkombëtarë, si dhe informacionet e identifikuara nga burime të hapura, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia thekson se, pas publikimeve të fundit në media lidhur me trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, adresa zyrtare për paraqitjen e çdo informacioni, prove apo të dhëne mbetet Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Departamenti për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale.

Në komunikatë, Policia dhe Prokuroria Speciale u bëjnë thirrje qytetarëve, dëshmitarëve, viktimave, familjarëve të tyre dhe çdo personi që posedon informacione me rëndësi për hetimin e krimeve të luftës që t’i adresojnë ato në këto institucione, duke garantuar trajtim profesional, konfidencialitet dhe respektim të standardeve ligjore.

Të Ngjashme