Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Prishtina vend përfitimi për lypsarë nga Kosova e Shqipëria

Në të ftohtë e edhe gjatë ditëve të nxehta të verës, ky 62 vjeçar vjen çdo ditë nga Vushtrria dhe vendoset në qoshen e rrugës ‘Muharrem Fejza’, për të kërkuar lëmoshë.

Ai thotë se nuk fiton shumë nga kjo punë, mirëpo e bënë nga halli që ka.

Jam 62 vjeç. Nuk fitoj shumë 5 deri në 6 euro në ditë. Jam i sëmurë prej enëve të gjakut nuk më funksionon mirë gjaku në këtë këmbë. Nuk kam kërkuar ndihmë nga shteti asnjëherë. Çdo herë dal këtu, unë vijë nga Vushtrria çdo ditë në Prishtinë. Nuk kam familje as fëmijë jam i vetëm. Ka 3-4 vjet që dal rregullisht dhe kërkojë lëmoshë. Nuk kam çfarë të bëjë prej hallit dal këtu. Më shumë më shkojnë në barna parat që i fitoj këtu, sepse jam i sëmurë 200 euro ilaçe i shpenzoj në muaj”, thotë një lypës.

Fushë Kosova , Lipjani, Ferizaj dhe Obiliqi, janë komunat prej nga vijnë më së shumti lëmosh kërkuesit, në Prishtinë. Mirëpo kryeqyteti është destinacion edhe për lëmoshë kërkuesit nga Shqipëria, tha Shefi i Njësisë së Shërbimeve Sociale, Blerim Shabani.

“Kemi rritur stafin mirëpo prap nuk mjafton që të mbulojmë të gjitha nevojat për trajtim dhe ofrim të shërbimeve profesionale dhe i tejkalojnë kapacitetet që kemi. Ka persona të tjerë të cilët dalin dhe kërkojnë lëmoshë që kanë edhe probleme me shëndetin dhe probleme me shëndetin. Ne në Prishtinë e kemi edhe problemin tjetër sepse shumica dërrmuese e tyre janë nga komunat e tjera. Kur po them komuna të tjera e kam fjalën për komunën e Fushë Kosovës, Lipjanit, Ferizajt, Obiliqit, ka edhe nga komuna të tjera por rastet më të shpeshta janë nga komunat që i përmenda”.

Shabani thotë se fëmijët lëmoshë kërkues janë pre edhe të abuzimit dhe janë viktima potenciale të trafikimit.

“Si dukuri është shumë më e shprehur në Prishtinë sesa në komunat e tjera dhe fatkeqësisht edhe pas përpjekjeve tona si institucion, nuk kemi mundur ta çrrënjosim. Arsyet që fëmijët në kryeqytet dalin dhe kërkojnë lëmosh janë të ndryshme, por prijnë arsyet ekonomike. Po ashtu, të njëjtit janë pre edhe të qëllimeve të ndryshme të njerëzve, si abuzim apo mund të jenë edhe viktima potenciale të trafikimit”.

Në një përgjigje me shkrim për KOHA-n, Policia e Kosovës ka deklaruar se vetëm gjatë vitit 2022 janë evidentuar 488 lëmosh kërkues, në kryeqytet.

“Në vitin 2022 janë evidentuar 488 persona kërkues lëmoshë. Vendi që më së shumti frekuentohen nga personat kërkues lëmoshë janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Ferizaj etj. Nëse personat janë nga shtetet e tjera e të cilët hasen duke kërkuar lëmoshë Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në bazë të ligjit për të huaj i largon nga territori i Republikës së Kosovës. Siç, e dini aspekti i vendimeve për dënime është kompetencë e organeve te drejtësisë sipas ligjeve pozitive të Republikës së Kosovë”.

Në lidhje me këtë fenomen, qytetarët mendojnë se personat e tillë, funksionojnë në mënyrë të organizuar nga dikush tjetër.

“Unë kam përvoja personale në lidhje me lypësit. Para pak ditësh isha ul me bashkëshorten time në kafe dhe erdhi njëri prej tyre dhe më kërkoi para, isha duke ngrënë byrek dhe i thash që dua të marr edhe ty një. Mirëpo ai nuk deshi dëshironte vetëm para. Duhet policia dhe institucionet të përkujdesën për ta në mënyrë që të kenë trajtimin e duhur dhe një jetë më të mirë. Unë mendoj se këta dikush po i organizon”, tha njëri.

“Çdo ditë e më shumë po shtohen, po iu mungon përkrahja institucionale, duhet të merret policia më shumë me ta. Këtu bash në këtë pjesë ku po flasim ka lëmosh kërkues çdo herë dhe e kanë me orar kur dalin”, tha një tjetër.

Mirëpo Kosova ende, nuk ka një ligj i cili do t’i mbronte dhe do të ua siguronte një jetë më të dinjitetshme edhe lëmoshkërkuesve në Kosovë.